Japonia ka kërkuar që operatori i një harte të re botërore, e miratuar nga Kombet e Bashkuara, të korrigjojë mënyrën se si paraqiten Ishujt Kurile në këtë hartë. Tokio i konsideron këta ishuj si pjesë të territorit të saj.
Qeveria japoneze ka shprehur zyrtarisht kundërshtimet e saj, duke protestuar për faktin që në këtë hartë të re, ishujt e diskutueshëm shfaqen me të njëjtën ngjyrë si territori rus. Sipas autoriteteve të Tokios, kjo ngjyrë mund të krijojë perceptime të pasakta për statusin e ishujve.
Të premten, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi hartën e re botërore, të quajtur projeksioni hartografik “Equal Earth”. Japonia ishte mes 164 shteteve që votuan pro kësaj rezolute, por më pas ka shprehur shqetësimet për mënyrën si janë paraqitur Ishujt Kurile, të njohur në Japoni si “Territoret Veriore”.
Zëdhënësi i kabinetit japonez, Minoru Kihara, tha të enjten se paraqitja e ishujve në këtë hartë nuk përputhet me qëndrimin zyrtar të Japonisë. Ai bëri të ditur se qeveria japoneze ka protestuar përmes kanaleve diplomatike pranë operatorit të faqes ku është publikuar harta, duke kërkuar që të bëhen korrigjimet e nevojshme.
“Duhet të parandalojmë përhapjen e keqkuptimeve lidhur me territoret dhe emërtimet gjeografike”, u shpreh Kihara para mediave. Ai nuk sqaroi se kur qeveria ishte vënë në dijeni për mënyrën si ishin paraqitur ishujt në hartën e re.
Harta e re ka nxitur gjithashtu debate ndërkombëtare. Ndryshe nga projeksionet tradicionale, ajo jep një paraqitje më të madhe të Afrikës dhe zvogëlon përmasat e Evropës dhe Amerikës së Veriut. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, synimi është të ofrohet një imazh më i saktë i madhësisë reale të kontinenteve, në kontrast me projeksionin klasik Mercator.
Diskutime të ngjashme u ngritën edhe nga Ukraina, e cila abstenoi në votim javën e kaluar. Delegacioni ukrainas theksoi se në hartë, Krimea e pushtuar ishte paraqitur me ngjyrë të ndryshme nga Ukraina. Ata paralajmëruan se kjo mund të hapë një “kuti të Pandorës” dhe të krijojë sfida në raport me Kartën e OKB-së e të drejtën ndërkombëtare.

