Shkolla e lashtë e Miezës, institucioni elitar i themeluar nga Filipi II, ndodhet në veri të vendit. Siti arkeologjik shtrihet në një sipërfaqe prej tre hektarësh dhe përfshin klasa me banka prej guri, salla banketesh, mozaikë, monedha, stila për të shkruar dhe një pistë të mbuluar vrapimi prej 200 metrash.
Arkeologia Angelikí Kottaridi, përgjegjëse për gërmimet e nisura në vitin 2024, e ka përshkruar strukturën si një qendër për përgatitjen e fëmijëve të aristokracisë maqedonase, si për luftën, ashtu edhe për jetën publike.
Shkolla ku, më shumë se 2 300 vjet më parë, filozofi Aristoteli formoi të riun Aleksandrin e Madh është identifikuar në veri të Greqisë.
Siti arkeologjik ndodhet në qytetin e lashtë maqedonas të Miezës, në rajonin e sotëm të Imathias.
“Jemi plotësisht të sigurt se bëhet fjalë për shkollën e themeluar nga Filipi II”, deklaroi për mediat greke Angelikí Kottaridi, arkeologe përgjegjëse për gërmimet në këtë zonë.
Sundimtari maqedonas, i cili mbretëroi nga viti 359 deri në vitin 336 para Krishtit, ishte babai i Aleksandrit. Ky i fundit e pasoi në fron në moshën 20-vjeçare dhe u bë pushtuesi i një perandorie që shtrihej nga Greqia deri në Indi.
Një kompleks që shtrihet në tre hektarë
Kompleksi arkeologjik shtrihet në rreth tre hektarë dhe përfshin salla banketesh, një hapësirë të dedikuar për aktivitet fizik, një stadium, një pistë të mbuluar vrapimi dhe ambiente të përdorura për mësim, me banka prej guri.
Mes objekteve të gjetura janë monedha, qeramika dhe katër stile, instrumentet që përdornin studentët në lashtësi për të shkruar.
Sipas historianit romak Plutark, në veprën “Jetët paralele”, Aleksandri ishte nxënës i Aristotelit nga mosha 13 deri në 16 vjeç. Gjatë kësaj periudhe, filozofi i mësoi etikë, politikë, letërsi dhe shkenca natyrore.
Dy vjet më vonë, në vitin 338 para Krishtit, Aleksandri mori pjesë në betejën e Keronesë, në krye të kalorësisë maqedonase. Përplasja përfundoi me fitoren e Filipit II ndaj forcave të bashkuara të Athinës dhe Tebës.
Arkeologia Kottaridi: “Një kolegj elitar”
Filipi II themeloi gjimnaze të tjera në Amfipolis dhe në Aigai, kryeqyteti i mbretërisë maqedonase, por ai i Miezës kishte karakteristika të veçanta.
Arkeologia Kottaridi e ka përshkruar atë si një lloj “kolezhi elitar”, i destinuar për fëmijët e familjeve më të rëndësishme të Maqedonisë dhe i konceptuar për t’i përgatitur ata si për luftën, ashtu edhe për jetën publike.
Në kompleks mësoheshin letërsia, gjuha dhe kultura greke, krahas taktikave dhe strategjisë ushtarake, ndërsa edukimi fizik kishte një rol qendror.
Si ishin ambientet e shkollës
Gërmimet kanë nxjerrë në dritë edhe një grup ambientesh ngjitur me klasat, që përfshinte një paradhomë dhe dy salla banketesh.
Ambientet kanë ruajtur dysheme me mozaikë dhe platforma të ngritura, mbi të cilat vendoseshin divanet ku uleshin pjesëmarrësit e banketeve. Sallat mund të prisnin deri në 20 persona.
Veçanërisht e rëndësishme është prania e një piste të mbuluar, “xystós”, me gjatësi rreth 200 metra. Përgjatë saj ndodheshin 64 kolona dorike dhe struktura u mundësonte nxënësve të stërviteshin edhe gjatë periudhave me temperatura veçanërisht të ulëta ose të larta.
Elementet arkitekturore dhe dekorative të zbuluara në shkollë paraqesin gjithashtu ngjashmëri me ato të pallatit mbretëror maqedonas të Aigait, në Verginën e sotme, ku jetuan Filipi II dhe Aleksandri.
Sipas Kottaridit, zbulimi ofron edhe një perspektivë të re mbi historinë e arsimit në botën greke.
Sipas arkeologes, lindja e një sistemi arsimor gjithëpërfshirës dhe të organizuar nuk mund t’u atribuohet vetëm qytet-shteteve demokratike si Athina, ku mësimdhënia u besohej kryesisht shkollave private dhe mësuesve e filozofëve si Sokrati dhe Platoni.
Çfarë mësohej në gjimnazet e krijuara nga Filipi II
Gjimnazet e krijuara në Maqedoninë e Filipit II ndërthurinin edukimin letrar, kulturën greke, trajnimin ushtarak dhe përgatitjen fizike.
Sipas rindërtimit të bërë nga arkeologia, ky model e shoqëroi Aleksandrin gjatë fushatave të tij dhe kontribuoi në përhapjen e kulturës dhe gjuhës greke në botën helenistike.
Në vitin 334 para Krishtit, Aleksandri nisi ekspeditën ushtarake që e çoi drejt pushtimit të territoreve të Perandorisë Perse, Egjiptit dhe Fenikisë.
Në pak më shumë se një dekadë, perandoria e tij u shtri nga Greqia deri në luginën e Indusit dhe nga Egjipti deri në Azinë Qendrore.
Në territoret e pushtuara u themeluan qytete të shumta, mes tyre Aleksandria e Egjiptit.
Sipas Kottaridit, shkollat dhe gjimnazet përfaqësonin një nga elementet karakteristike të këtyre qendrave të reja dhe kontribuan në përhapjen e gjuhës dhe kulturës greke.
Struktura të ngjashme janë identifikuar edhe shumë më në lindje, deri në qytetin e lashtë helenistik Ai-Khanoum, në Afganistanin e sotëm, jo shumë larg Kabulit.
Gërmimet në Mieza nisën në vitin 2024. Fushatat arkeologjike do të vijojnë këtë vit, duke u përqendruar veçanërisht në zonën e kompleksit sportiv dhe në ambientet e mësimit.

