Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar pas sulmit ndaj Komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku sipas tij janë lënduar 10 punonjës policie.
Hita deklaroi se personat e përfshirë në sulm kanë përdorur molotovë, mjete piroteknike, gurë dhe sende të forta, duke vënë në rrezik efektivët dhe personat që ndodheshin brenda ambienteve të komisariatit.
Kreu i Policisë e cilësoi ngjarjen si një akt dhune ndaj institucioneve, duke theksuar se sulmet ndaj komisariateve nuk mund të konsiderohen pjesë e një proteste.
Sipas tij, prej gjashtë ditësh punonjësit e policisë po përballen me episode të përsëritura dhune. Ndërkohë, strukturat përkatëse po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë dhe mbledhjen e provave për përgjegjësinë e tyre ligjore.
Hita u bëri thirrje personave që ushtrojnë dhunë të ndalin veprimet, ndërsa kërkoi nga protestuesit paqësorë të distancohen nga këto akte.
Ai siguroi se Policia e Shtetit do të vijojë ushtrimin e detyrës në përputhje me ligjin dhe duke respektuar të drejtat e qytetarëve, proporcionalitetin dhe profesionalizmin.
“Policia e Shtetit nuk është kundërshtare e qytetarëve. Ajo është në shërbim të tyre”, përfundoi Hita, duke u uruar shërim të shpejtë efektivëve të plagosur.

