Hekurudha Vorë–Hani i Hotit drejt dëgjesës publike, ja si prek Shkodrën dhe Malësinë e Madhe

Publikuar me datë:

Projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit po hyn në një fazë të rëndësishme, atë të konsultimit me publikun. Bashkia Shkodër ka njoftuar se më 27 gusht 2026, në orën 09:00, në sallën e Këshillit Bashkiak, do të zhvillohet dëgjesa publike në kuadër të procedurës së Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis.

Në takim pritet të marrin pjesë qytetarë, përfaqësues të grupeve të interesit dhe organizata të shoqërisë civile, të cilët do të kenë mundësi të paraqesin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për projektin.

Investimi parashikon rikonstruksionin e linjës hekurudhore që lidh Vorën me pikën kufitare të Hanit të Hotit, me një gjatësi totale prej rreth 120 kilometrash. Për veriun e vendit, veçanërisht për Shkodrën dhe Malësinë e Madhe, ky projekt ka rëndësi të veçantë pasi përfshin edhe segmentet Lezhë–Shkodër dhe Shkodër–Hani i Hotit.

Çfarë do të ndryshojë?

Sipas dokumentacionit të projektit, pjesa më e madhe e hekurudhës do të rehabilitohet mbi gjurmën ekzistuese, çka synon të shmangë shpronësimet e reja.

Traseja do të zgjerohet nga 5.5 në 6.6 metra, duke krijuar kushtet për elektrifikimin e linjës në të ardhmen. Gjithashtu parashikohet zëvendësimi i shinave dhe traversave ekzistuese me elementë të rinj të infrastrukturës hekurudhore.

Linja është ndarë në katër segmente:

– Vorë–Gjorm: 27.80 km

– Gjorm–Lezhë: 20.36 km

– Lezhë–Shkodër: 35.56 km

– Shkodër–Hani i Hotit: 35.74 km

Investimet konkrete në Shkodër dhe Malësinë e Madhe

Në territorin e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe parashikohen ndërhyrje të rëndësishme. Projekti përfshin ndërtimin e stacioneve të reja hekurudhore në Shkodër dhe Bajzë, si dhe ndërhyrje në disa prej urave dhe veprave të artit përgjatë linjës.

Pranë urës ekzistuese mbi lumin Kir është planifikuar ndërtimi i një ure të re, ndërsa ura aktuale do të vijojë të përdoret.

Ndërkohë, parashikohet zëvendësimi i urave mbi kanalin e Vrakës, përroin e Rrjollit, përroin e Banushit dhe Përroin e Thatë, së bashku me përmirësime të tjera të infrastrukturës në të gjithë aksin Shkodër–Hani i Hotit.

Projekti shtrihet në territorin e shtatë bashkive, prek 46 njësi administrative dhe rreth 60 vendbanime. Në Malësinë e Madhe kalojnë rreth 28.5 kilometra të linjës, duke përfshirë territorin e Gruemirës, Koplikut dhe Kastratit.

Problematikat që janë evidentuar

Në dokumentin e VNM-së janë evidentuar edhe disa problematika që lidhen me sigurinë përgjatë gjurmës ekzistuese. Mes tyre përmenden ndërtimet informale pranë linjës hekurudhore, si dhe kalimet e paautorizuara të automjeteve dhe këmbësorëve.

Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me zonat e mbrojtura. Një pjesë e hekurudhës në territorin e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe kalon pranë Rezervatit Natyror të Menaxhuar të Liqenit të Shkodrës. Sipas dokumentacionit të projektit, ndërhyrjet parashikohen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe planin e menaxhimit të zonës.

Dëgjesa e 27 gushtit do të jetë një nga hapat e rëndësishëm në procesin e konsultimit publik, përpara vijimit të procedurave të mëtejshme për rehabilitimin e linjës Vorë–Hani i Hotit.

Për Shkodrën dhe Malësinë e Madhe, rikthimi i një lidhjeje hekurudhore të modernizuar shihet si një ndërhyrje që mund të ndikojë në transportin e udhëtarëve dhe mallrave, si dhe në lidhjen e veriut të vendit me Malin e Zi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related