Në qytetin gjerman Gelsenkirchen është shënuar një aksident i rëndë hekurudhor, pasi dy tramvaje u përplasën mes tyre, duke lënë të plagosur të paktën 25 persona. Ngjarja u regjistrua pranë stadiumit të ekipit Schalke, ku, sipas të dhënave fillestare, një tramvaj stërvitor u ndal papritmas në lëvizje. Pas tij vinte një tramvaj tjetër në të cilin ndodheshin pasagjerë, i cili nuk arriti të ndalte në kohë dhe goditi fort nga pas tramvajin që kishte ndaluar.
Si pasojë e përplasjes, të dy tramvajet pësuan dëmtime të konsiderueshme, duke sjellë mobilizimin e menjëhershëm të shërbimeve të emergjencës.
Policia gjermane konfirmoi se rreth 25 persona janë lënduar, nga të cilët shtatë kanë marrë plagë të rënda. Gjendja shëndetësore e tre të tjerëve konsiderohet kritike, me rrezik për jetën. Të lënduarit u trajtuan fillimisht në vendngjarje, ndërsa një pjesë e tyre u dërguan me urgjencë në spitalet e zonës për kujdes të mëtejshëm.
Shkaqet që çuan në ndalimin e papritur të tramvajit të parë ende mbeten të paqarta. Policia ka ngritur një ekip të specializuar hetimor për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar se kush mban përgjegjësi. Për pasojë, segmenti Kurt-Schumacher-Straße, rruga kryesore pranë vendit të aksidentit, u bllokua për qarkullimin e automjeteve, duke krijuar vështirësi në trafikun e pasdites. Më vonë, një nga korsitë e rrugës u rihap.
Dhjetëra ekipe të shpëtimit, ambulanca dhe forca policore u angazhuan menjëherë në zonë. Përveç tyre, në vendngjarje u dërguan psikologë dhe ekipe mbështetëse për të ndihmuar pasagjerët dhe personat e përfshirë në aksident.

