Një grup eksploruesish të shpellave shqiptare janë përballur me një situatë të pazakontë në fshatin Egç të Malësisë së Madhe.
Duke shijuar bukuritë natyrore dhe duke zhvilluar një ekspeditë në shpellën e pëllumbave atje, anëtarët e shoqatës shqiptare të shpellave kanë rrezikuar jo pak pasi janë përballur me një granatë të pashpërthyer.
Në ecje e sipër, eksploruesit e shpellave kanë konstatuar granatën duke vërejtur se ishte e pashpërthyer dhe se mund të përbënte rrezik.
Menjëherë grupi i shoqatës së shpellave pasi kanë bërë një fotografi për ta dokumentuar granatën janë larguar nga aty për të mos rrezikuar.
Asnjë prej tyre nuk e ka prekur granatën nga frika e shpërthimit të saj.
Menjëherë kryetari i shoqatës shqiptare të shpellave, Roland Doja ka njoftuar autoritetet përkatëse të cilët pritet që të mbërrijnë tek shpellave e pëllumbave për të larguar granatën nga aty në mënyrë që të mos jetë rrezik për eksplorues të tjerë të natyrës si dhe për të bërë demontimin e saj.
Pritet ardhja e grupit Xhenio nga Tirana të cilët merren me këto raste për të kryer gjitha procedurat e nevojshme në asgjesimin e granatës.
Ajo granatë mendohet se mund të ketë shumë vite aty dhe u zbulua rastësisht nga shoqata shqiptare e shpellave gjatë ekspeditës së tyre tek shpellave e pëllumbave në fshatin Egç të Malësisë së Madhe.
Në atë zonë por edhe fshatra të tjerë mendohet se ende ka një numër të lartë të objekteve të tilla të cilat janë fshehur aty prej vitesh nga banorë të ndryshëm dhe që nuk janë përdorur.
Në rastet e zjarreve të pyjeve në zonat malore shpesh ndodh që të ketë shpërthime të forta që janë pikërisht nga armatime të vjetra të lëna në këto zona.
Në pyje, shpella, tunele, male, kodra dhe vende të tjera të ngjashme, armatimet ende nuk janë demontuar nga shteti shqiptar duke qenë prezente kudo në mbarë vendin si rrezik i përhershëm për banorë, eksplorues vendas të natyrës apo edhe turistë të huaj.

