Gazeta franceze: Evropa e refuzon, qeveria e Ramës i jep shumën e majme këngëtarit kontrovers

Publikuar me datë:

LE PARISIEN

I ndaluar të performojë në koncerte në shumicën e vendeve të Evropës për shkak të deklaratave të tij raciste dhe antisemite, reperi amerikan Kanye West megjithatë do të performojë në Tiranë, në Shqipëri. Madje reperi do të marrë edhe një shumë të majme nga qeveria shqiptare: katër milionë euro.

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe, e justifikoi këtë ndihmë publike me nevojën për të garantuar zhvillimin e koncertit të planifikuar për të shtunën. Ai shpreson te ndikimi turistik që pritet të sjellë koncerti, për ta vendosur Tiranën në “hartën e kryeqyteteve që presin ngjarje të kësaj përmase”.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama (Partia Socialiste) po përballet me kritika nga opozita dhe nga qarqe artistike në vend që prej njoftimit për këtë financim. Në fakt, kjo ndihmë publike vjen në një kohë kur në Shqipëri zhvillohen protesta të përditshme që prej fundit të majit.

Protestuesit, të cilët kundërshtojnë një projekt kompleksi turistik të lidhur me familjen e presidentit amerikan Donald Trump në jug të vendit, prej disa javësh kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës. Kjo lëvizje, e lindur si reagim ndaj projektit të zhvillimit në një rezervat natyror të mbrojtur, është kthyer në një simbol të zemërimit ndaj korrupsionit të dyshuar në vend.

Disa koncerte janë anuluar

Koncerti, për të cilin është ndërtuar edhe një stadium, ishte planifikuar të priste 60 mijë persona, por sipas mediave lokale shitja e biletave është shumë më poshtë objektivave.

Edi Rama ka deklaruar se vetëm 25 mijë bileta janë shitur për vizitorë të huaj. Për këtë arsye është dhënë financimi, për të parandaluar anulimin e aktivitetit dhe për “të shmangur turpërimin e Shqipërisë”, sipas fjalëve të kryeministrit.

Ndërtimi i këtij stadiumi ka kushtuar rreth 2,2 milionë euro, ka sqaruar Blendi Gonxhe, duke mohuar informacionet e mëparshme që flisnin për një kosto deri në 60 milionë euro.

Ndërkohë, ndërsa Shqipëria po bën gjithçka për të pritur reperin, disa vende evropiane kanë anuluar koncertet e tij.

Në qershor, Kanye West duhej të performonte në stadiumin Vélodrome në Marsejë (Francë). Por ai vetë njoftoi anulimin e koncertit pas kërkesës së ministrit të Brendshëm dhe kryebashkiakut të Marsejës.

Në Evropë janë anuluar gjithashtu koncertet e tij të planifikuara në Londër dhe Poloni. Britania e Madhe njoftoi se i kishte ndaluar hyrjen në territor këngëtarit, gjë që çoi në anulimin e një festivali muzikor në Londër ku ai duhej të performonte tre net në korrik.

Në Poloni, drejtuesit e stadiumit ku reperi duhej të performonte më 19 qershor gjithashtu anuluan aktivitetin.

Një nga koncertet e tij në Itali, i planifikuar për 18 korrik, u ndalua gjithashtu “për arsye të rendit dhe sigurisë publike”, sipas prefekturës së Reggio Emilia-s në veri të vendit.

Deklaratat antisemite

Reperi 49-vjeçar, fitues i shumë çmimeve Grammy, dikur shumë i adhuruar, sot është bërë një figurë shumë e diskutueshme.

Gjithçka filloi të ndryshojë në vitin 2018: Kanye West shkoi në Shtëpinë e Bardhë për një takim me Donald Trumpin, ndërsa mbante një kapelë me sloganin “Make America Great Again”. Një pjesë e fansave të tij reaguan ashpër ndaj mbështetjes së tij për presidentin republikan.

Disa javë më vonë, ai deklaroi se skllavëria kishte qenë një “zgjedhje”, duke shkaktuar përsëri reagime të forta.

Më pas, në vitin 2022, ai deklaroi se “i adhuronte nazistët”, përpara se t’i kërkonte falje komunitetit hebre në dhjetor 2023… por më pas i përsëriti deklaratat në vitin 2025.

Këtë herë, në ditën e 80-vjetorit të humbjes së Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore, Kanye West publikoi një këngë me titull “Heil Hitler” dhe më pas vendosi në shitje bluza me simbolin e kryqit të thyer (svastikës) në faqen e tij të internetit.

“Ye” që atëherë ka mohuar se është antisemit dhe është distancuar nga deklaratat e tij në rrjetet sociale, të cilat më pas i ka lidhur me çrregullimin bipolar. Në janar ai kishte shprehur “keqardhjen e tij të thellë”.

Megjithatë, kjo nuk i ka penguar disa artistë shqiptarë që të protestojnë këtë të enjte kundër subvencionimit të koncertit të tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related