Galeria e Arteve në Shkodër administron një fond të pasur me vepra që mbartin vlera të rëndësishme për artin dhe kulturën e qytetit, por edhe për trashëgiminë artistike shqiptare. Mes tyre gjenden punime të artistëve të njohur shkodranë dhe shqiptarë, ruajtja e të cilave kërkon kujdes të vazhdueshëm dhe kushte të përshtatshme.
Drejtori i Galerisë, Fatmir Juka, e konsideron konservimin një proces thelbësor për jetëgjatësinë e veprave. Sipas tij, ndërhyrjet dhe kujdesi i specializuar janë të nevojshme për të parandaluar degradimin e tyre dhe për të garantuar që ky fond t’u mbetet brezave të ardhshëm.
Por krahas mirëmbajtjes së koleksionit, një tjetër problem mbetet mungesa e hapësirave të mjaftueshme. Ambientet aktuale nuk i japin institucionit mundësinë për të ruajtur dhe ekspozuar në mënyrën e duhur të gjithë pasurinë artistike që disponon.
Prej vitesh është hedhur në diskutim ideja e një godine apo hapësire të re për Galerinë e Arteve, e cila do t’i jepte këtij institucioni mundësi më të mëdha për ruajtjen e fondit, organizimin e ekspozitave dhe prezantimin e artistëve shkodranë.
Një investim i tillë do të përbënte jo vetëm një përmirësim të kushteve të punës, por edhe një mundësi që Shkodra të promovojë më denjësisht trashëgiminë e saj në artet pamore.
Mbetet për t’u parë nëse diskutimet e deritanishme do të konkretizohen me një projekt të ri, që do të garantonte kushte më të mira për konservimin, ekspozimin dhe promovimin e një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të qytetit.

