Situata e zjarreve në Fier është stabilizuar, me autoritetet që po afrohen drejt kontrollit të plotë të vatrave. Pas shkatërrimeve të shkaktuara një ditë më parë në Levan, Radostinë dhe Zhupan, ku flakët përfshinë banesa dhe prona bujqësore, aktualisht janë identifikuar tre vatra ende aktive, por pa ndonjë kërcënim për zonat e banuara.
Forcat zjarrfikëse në fshatin Jarua të Levanit po punojnë për të mbrojtur një stallë blegtorale nga përhapja e zjarrit, ndërsa në Frakull intensiteti i flakëve është zbehur ndjeshëm falë ndërhyrjeve nga ajri me avion dhe helikopter.
Ndërkohë, në Peshtan, ekipet e emergjencës janë të angazhuara për të ndalur përhapjen e zjarrit pranë antenave të telefonisë celulare dhe transmetimeve televizive të vendosura në kodrën e Likovunit. Nga ana tjetër, vatrat e zjarrit në Radostinë, Fermë Çlirim dhe Zhupan janë shuar plotësisht.

