Dy ish drejtues të Kadastrës në Fier, një ish vartës i tyre dhe shtetasi Kastriot Hasko, janë arrestuar me urdhër të prokurorisë, pasi dyshohet se kanë tjetërsuar një sipërfaqe toke prej 1134 hektarësh në zonën e Sheq Marinasit dhe Semanit të ri. Toka dyshohet se është tjetërsuar nga shtetasi Kastriot Hasko me dokumente të falsifikuara, ndërsa dy drejtorët e Kadastrës kanë lejuar regjistrimin e saj. Më pas toka u është shitur dy kompanive private. Prokuroria urdhëroi arrestimin e katër personave, sekuestrimin e pronës dhe një shume prej 150 mijë eurosh.
Katër persona janë arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, në kuadër të një hetimi për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, ndërsa janë sekuestruar më shumë se 76 pasuri me një sipërfaqe totale prej 1143 hektarësh tokë, si dhe 150 mijë euro.
Në pranga kanë rënë dy ish-drejtorë të kadastrës në Fier, Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj, një specialist jurist i këtij institucioni dhe bzinesmeni Kastriot Hasko, i cili dyshohet se ka përfituar pronat.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Ertis Shehun, dhe Bardh Kapaj, në cilësinë e ish-drejtorëve të ASHK-së Fier, Pirro Çela specialist dhe jurist pranë ASHK-së, si dhe Kastriot Hasko, përfituesi i pronave.
Nga hetimet dyshohet se Kastriot Hasko ka përdorur si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier. Mbi bazën e këtyre dokumenteve, ai ka arritur të regjistrojë në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë një sipërfaqe prej rreth 1143 hektarësh në Seman i Ri dhe Sheq Marinas.
Më pas, sipas organit të akuzës, Kastriot Hasko, është paraqitur si bashkëpronar dhe përfaqësues i bashkëpronarëve të tjerë dhe, përmes një prokure të posaçme të dyshuar të falsifikuar, ua ka shitur tokën dy shoqërive të ndryshme.
Prokuroria pretendon se ish-drejtorët e ASHK-së Fier, Ertis Shehu, dhe Bardh Kapaj, së bashku me specialistin Pirro Çela kanë regjistruar pasuritë në bashkëpronësi të Kastriot Hasko, në kundërshtim me legjislacionin për kadastrën dhe për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.
"Ekzekutimi i masave të sigurisë u krye pasi këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar në pronësi të shtetasit K. H. sipërfaqe toke, duke shfrytëzuar pozicionet e tyre të punës, si dhe duke falsifikuar dokumentacionin përkatës’ informoi policia.
Dy ish drejtorët e Kadastrës në Fier, përtej mos verifikimit të dokumentacionit të paraqitur nga Kastriot Hasko për regjistrimin e pronës, dyshohet se kanë shtuar sipërfaqe toke në favor të këtij shtetasi në shkelje të ligjit. ata akuzohen aktualisht për shpërdorim detyre, ndërsa hetimet janë në vijim.
Të arrestuar
– Ertis Shehu – Ish drejtues i ASHK-së Fier
– Bardh Kapaj – Ish drejtues i ASHK-së Fier
– Pirro Çela – specialist dhe jurist pranë ASHK-së
– Kastriot Hasko përfitues i 1134 hektarëve tokë
Njoftimi i Prokurorise
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier u vendos masa e sigurimit personal ‘Arrëst në burg’ ndaj katër shtetasve E.Sh., B.K. në cilësinë e drejtorëve të ASHK, P.Ç. specialistit, jurist, pranë ASHK dhe K.H., përfituesi i pronave nën akuzë për veprat penale ‘Falsifikim i dokumenteve’, ‘Shpërdorimi i detyrës’ si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 186/2, 248 dhe 287, prg.2, të Kodit Penal.
Po kështu, në kuadër të hetimeve u sekuestruan mbi 76 pasuri, me sipërfaqe totale prej 1143 hektarë tokë (e barabartë me njëmbëdhjetë milion e katërqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëdhjetë e gjashtë m2), si dhe 150.000 euro.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier gjatë hetimeve të deritanishme për procedimin penal nr. 1026 të vitit 2025, kryer në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nëpërmjet përdorimit edhe të metodave proaktive, arriti të provojë se:
Shtetasi K.H., duke paraqitur si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, ka arritur të regjistrojë në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë një sipërfaqe të konsiderueshme toke prej 1,143 hektarë të ndodhur në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, Seman i Ri dhe Sheq Marinas, Fier.
Më pas, ky shtetas, duke u paraqitur me cilësinë e bashkëpronarit dhe përfaqësuesit edhe të bashkëpronarëve të tjerë, me anë të një prokure të posaçme të falsifikuar, u ka shitur këtë tokë dy shoqërive të ndryshme.
Shtetasit E.Sh. dhe B.K., në cilësinë e drejtorëve të ASHK, Fier, dhe shtetasi P.Ç., në cilësinë e specialistit, jurist, pranë ASHK, Fier, kanë regjistruar pasuritë në fjalë në bashkëpronësi të shtetasit K.H., në kundërshtim me ligjin nr. 111/2018, “Për kadastrën”, dhe ligjin nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe VKM nr. 639, datë 16.10.2024, dhe Udhëzimin e Këshillit të Ministrave nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”, duke mos kërkuar sipas këtyre akteve ligjore/nënligjore konfirmimin e vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, verifikim nga i cili do të rezultonte se këto vendime janë të falsifikuara.
Për më tepër, ka rezultuar se shtetasi B. K., ish drejtor i ASHK, Fier, kur ka regjistruar pasurinë nr. 3**, zk 3358, ka tejkaluar edhe sipërfaqen që sipas vendimit të falsifikuar nr. 8*, datë 20.01.1997, të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pranë Këshillit të Rrethit Fier, i ishte kthyer ish-pronarit Th.S., duke përfituar për rrjedhojë shtetasi K.H. edhe një sipërfaqe tjetër të konsiderueshme toke në pronësi.
Gjithashtu, shtetasit E.SH. e P.Ç. gjatë regjistrimit të pasurive kanë ndryshuar zërin kadastral të sipërfaqes së regjistruar në pronësi të shtetasve K.H., etj, nga tokë arë në tokë pa frut, pa një akt administrativ nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Bujqësisë apo Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier.
Masat e sigurimit personal dhe pasuror u ekzekutuan nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë si të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

