Nuk qëndroi gjatë në heshtje dhe Elisa Spiropali foli shumë në një “platformë” politike si lëvizje dhe demokratizim i brendshëm i PS-së. Pa specifikuar se në cilët rol, Spiropali zgjodhi rrjetin e saj social për të bërë publik platformë që ia paraqiti për diskutim zyrtarisht kreut të PS-së njëherësh kryeminsitrit, Asamblesë Kombëtare të PS-së, Grupit Parlamentar por edhe anëtarësisë.
Në formë dhe përmbajtje ajo është një platformë që i shkon vetëm një njeriu, kryeministrit Edi Rama, pasi ai është “Grupi Parlamentar”, ai është “Asambleja Kombëtare” dhe madje është “anëtari” i kësaj force dhe forme politike që vërtitet brenda një njeriu.
“Dokumenti mbetet një propozim për diskutim, i hapur ndaj çdo ideje, vërejtjeje dhe kontributi”-shkruan Spiropali, ndërsa parashtron tre pika. Ato përmblidhen në një fjali që e ka “shkruar vetë”. “… Jo më shumë personalizim të pushtetit, por institucione më të forta se individët. Jo privilegj, por meritë. Jo mbyllje, por garë. Jo vetëkënaqësi, por vetëkorrigjim. Më shumë përulësi, më pak arrogance”. Për kë shkon kjo kritikë?
Nuk ka asnjë mëdyshje që ajo e ka me me individin që dikur supervlerësonte për ta veshur edhe me atributet e heroit kombëtar, por më vonë i thirri mendjes për të zbritur edhe ajo me këmbë në tokë, sigurisht pas rënies nga pushteti si kryediplomate e vendit. Pyetja që sot asesi nuk mund të ngrihet është se përse Spiropali u kujtua tani, dhe kush është mllefi i saj, por a qëndrojnë çfarë ajo shkruan dhe thotë?
Fatkeqësisht për vendin, që është futur vetëm në dekadën e tretë nga rënia e totalitarizmit, aktualisht jemi në autoritarizëm të theksuar. A do të ketë efekt “Platforma Spiropali”? E hedhur sot në tregun publik ajo është anashkaluar nga pjesa më e madhe e mediave të kontrolluara nga një prej fijeve të oktapodit, por edhe në rrjetet sociale nuk ka marrë vëmendjen e duhur.
Përkohësisht Rama mund të mbulojë me shoshën e propagandës dhe forcës kontrolluese çdo zë kritik, por dielli, që në këtë rast nuk është asesi Elisa, por problemet që ajo ngre nuk mund të mos dalin në mixhlis. Kryeministri është aq i pasur sa të blejë për një farë kohe të blejë edhe vetë kohën, por problemin nuk e zgjidh, duke i shpallur të gjithë armiq, nga ata që janë rë rrugë në vigjilje të ditës së 50 deri tek zërat kritik brenda pushteti.
Spiropali gjithsesi nuk duhet të shohë me vetëkënaqësi sa like apo komente pozitive ka marrë “Platforma e saj”, por sa guximtarë me interes personal apo edhe me moral të vogël, dinë të ngrenë çështje që prekin një shoqëri dhe janë në interes publik. Platforma duke se nuk ka vetëm një dorë, por shumë duar dhe vetëm një zë, tani për tani është vetëm Spiropali si “zëdhënëse”, e një grupimi të madh, por fort të heshtur, tani për tani.
Nga Boldnews.al

