Ambasadori i ri i SHBA-së, Eric Wendt, ka përfunduar takimin me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, në Pallatin e Brigadave, ku i ka dorëzuar letrat kredenciale.
Vizita e Wendt zgjati pak më shumë se një orë, ndërsa me këtë akt diplomatik, ai nis zyrtarisht detyrën si përfaqësuesi më i lartë i Uashingtonit në Tiranë, duke i dhënë fund një periudhe prej thuajse tre vitesh gjatë së cilës misioni diplomatik amerikan drejtohej nga të ngarkuar me punë.
Ceremonia zyrtare e pritjes u mbajt në ambientet e Pallatit të Brigadave.
Pas dorëzimit formal të letrave kredenciale, Presidenti Begaj dhe Wendt zhvilluan një takim kokë më kokë.
Eric Wendt vjen në këtë detyrë me një karrierë të gjatë e me përvojë të gjerë në fushën e sigurisë kombëtare dhe diplomacisë ushtarake. Ai ka shërbyer për më shumë se 34 vite në Ushtrinë e SHBA-së, ku mbajti gradën e Gjenerallejtnantit. Ndër të tjera, Wendt ka drejtuar Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s, ku ka bashkëpunuar drejtpërdrejt me trupat dhe drejtuesit e mbrojtjes së Shqipërisë, si dhe ka shërbyer pranë Departamentit të Shtetit në Ambasadën e SHBA-së në Jeruzalem si Koordinator i Sigurisë.

