Forcat e Armatosura kanë reaguar pas aksidentit tragjik të regjistruar mbrëmjen e së premtes në aksin Fushë-Krujë, ku humbi jetën një 19-vjeçar.
Përmes një mesazhi ngushëllimi, Forcat e Armatosura kanë bërë të ditur se viktima është Leart Çim Zalla, 19 vjeç, student i vitit të parë në programin “Shkenca e Komunikimit në Fushën e Mbrojtjes”.
“Me hidhërim të thellë mësuam lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Leart Çim Zallës, 19 vjeç, student i vitit të parë në programin ‘Shkenca e Komunikimit në Fushën e Mbrojtjes’”, thuhet në reagimin e Forcave të Armatosura.
Aksidenti i rëndë ndodhi mbrëmjen e 25 shtatorit, në afërsi të Kamberas, ku u përplasën tre automjete.
Si pasojë e përplasjes, tre persona mbetën të plagosur dhe u transportuan drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Një prej të rinjve, Leart Çim Zalla, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Pas aksidentit, njëri prej drejtuesve të automjeteve u shoqërua në polici, ndërsa grupi hetimor nisi punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Paraprakisht është dyshuar se lagështira në rrugë dhe shpejtësia mund të kenë ndikuar në përplasjen e tre automjeteve, por shkaku i saktë i aksidentit pritet të përcaktohet nga hetimet.
Forcat e Armatosura kanë shprehur dhimbjen për humbjen e 19-vjeçarit, i cili ndiqte studimet në një program të lidhur me fushën e mbrojtjes.

