Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Tropojë, ku një punonjës i Bashkisë humbi jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur pasi ranë në kontakt me rrymën elektrike gjatë punimeve për vendosjen e shtyllave të ndriçimit.
Sipas dinamike të bërë të ditur nga Policia, aksidenti ka ndodhur në momentin kur katër punonjësit po vendosnin një shtyllë në bazament.
Dyshohet se për shkak të peshës së saj, punonjësit që po e mbanin kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e rrymës. Kontakti me linjën elektrike ka bërë që energjia të përcillej te katër punonjësit.
Njëri prej tyre, 59-vjeçari Muhamet Sylisufaj, nuk ka mundur t’i mbijetojë goditjes nga energjia elektrike dhe ka humbur jetën.
Tre punonjësit e tjerë, Albert Dunisha, 40 vjeç, Ilir Dautaj, 47 vjeç, dhe Afrim Aliaj, 21 vjeç, kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në Spitalin e Bajram Currit për të marrë ndihmë mjekësore.
“Më datë 08.09.2026, rreth orës 10:00, kemi marrë njoftim se, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, 4 punonjës të Bashkisë Tropojë, duke kryer punime për shpërndarjen dhe vendosjen fizike të shtyllave të ndriçimit në këtë rrugë, kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike.
Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë vendosjes së një shtylle në bazament, për shkak të peshës së saj, 4 punonjësit që po e mbanin kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e rrymës, duke përcjellë energjinë elektrike te punonjësit.
Si pasojë, shtetasi M.S., 59 vjeç, ka ndërruar jetë, ndërsa shtetasit A. D., 40 vjeç, I. D., 47 vjeç dhe A. A., 21 vjeç, ndodhen në Spitalin e Bajram Currit, për trajtim mjekësor.
Nga veprimet paraprake rezulton se punonjësit po kryenin transportin dhe shpërndarjen e shtyllave, sipas planit të punës, datë 04.09.2026, të Bashkisë Tropojë, Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit”,- thuhet në njoftimin e Policisë.
Grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

