Një tragjedi është shënuar pasditen e kësaj të mërkure në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, ku dy të rinj nga Kosova kanë humbur jetën pasi u morën nga dallgët e forta të detit.
Viktimat janë identifikuar si Leonid Alia, nga Fushë Kosova, dhe Jetmir Çopa, nga Prishtina. Ata ndodheshin në plazh së bashku me persona të tjerë, kur për shkak të erës së fortë dhe dallgëve të mëdha u gjendën në vështirësi në ujë.
Sipas Policisë, rreth orës 16:30 është marrë njoftimi se disa shtetas që kishin hyrë në det për t’u larë rrezikonin të mbyteshin.
Në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë Kufitare, efektivë të Policisë së Lezhës dhe ekipet e emergjencës dhe kanë nxjerrë nga deti pesë shtetasit nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Lezhës.
Megjithatë, sipas informacionit nga urgjenca e spitalit, dy prej tyre nuk arritën t’u mbijetonin pasojave të mbytjes dhe ndërruan jetë, ndërsa tre të tjerë vijojnë të marrin ndihmë mjekësore.
Autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa tragjedia ka tronditur familjarët e viktimave dhe pushuesit e pranishëm në zonë.

