Një i ri 21-vjeçar është arrestuar nga policia e Elbasanit, pasi u kap i armatosur pranë parkut “Aqif Pasha”.
Policia bën të ditur se, pas marrjes së informacionit se një person po qarkullonte me armë zjarri, organizoi menjëherë një aksion që çoi në ndalimin e Jurgest Selamit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e tij (marsup), oficerët zbuluan dhe sekuestruan një armë zjarri tip pistoletë, së bashku me krehërin dhe disa fishekë, të cilat 21-vjeçari i mbante pa leje.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Komisariati i Policisë Elbasan ka finalizuar operacionin “Indicia”, në kuadër të luftës kundër armëmbajtjes pa leje.
Një 21-vjeçar është ndaluar në afërsi të parkut “Aqif Pasha”, ku u gjet me pistoletë dhe municion dhe u arrestua në flagrancë.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit, krehërin dhe disa fishekë.
Ky operacion vjen si pjesë e veprimeve të intensifikuara për të identifikuar dhe ndaluar personat që konsiderohen të rrezikshëm për përfshirje në ngjarje kriminale. Sipas të dhënave operative, një shtetas lëvizte i armatosur me pistoletë pranë parkut “Aqif Pasha”.
Pas ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në kuadër të operacionit “Indicia”, u arrestua shtetasi i dyshuar, J. S., 21 vjeç, banor i Elbasanit.
Gjatë kontrollit të kryer në çantën (marsup) e këtij personi, u gjet një pistoletë me municion, të cilën e mbante pa leje.
Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

