Policia egjiptiane arrestoi gjashtë gazetarë nga një media që merrej me verifikimin e fakteve dhe hetime, duke i akuzuar ata për përhapjen e dezinformatave në emër të Vëllazërisë Myslimane të ndaluar, të cilën publikimi e mohoi.
Arrestimet përfshinë të gjithë redaksinë e Matsaddash, sipas Iniciativës Egjiptiane për të Drejtat Personale (EIPR).
Sipas EIPR-së, personeli i sigurisë i veshur civilë kishte filluar bastisjet në shtëpitë e gazetarëve të hënën në mbrëmje dhe konfiskoi pajisje elektronike.
Matsaddash mohoi se ishte e lidhur me Vëllazërinë Myslimane. Në një deklaratë, ajo vuri në dukje raportet që kishte publikuar duke korrigjuar atë që e përshkroi si dezinformim të publikuar nga mediat e lidhura me Vëllazërinë Myslimane.
Egjipti e ndaloi Vëllazërinë Myslimane si një grup terrorist në vitin 2013, vitin kur ushtria rrëzoi nga pushteti Presidentin Mohamed Mursi, një anëtar i Vëllazërisë Myslimane i cili u zgjodh në mënyrë demokratike.
Gazetarët dhe aktivistët egjiptianë janë arrestuar shpesh me akuzën e përhapjes së lajmeve dhe thashethemeve të rreme, dhe shumë media të pavarura thonë se e kanë të vështirë të veprojnë në kushte kufizuese.
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, 19 gazetarë janë aktualisht të ndaluar në Egjipt.

