Rijad Kobiljar mund të mbyllë shumë shpejt eksperiencën e tij me Vllazninë. Mesfushori boshnjak, i afruar vetëm pak më shumë se një muaj më parë, pritet të transferohet në Bahrein.
Kobiljar kishte zhvilluar përgatitjet e plota me skuadrën shkodrane dhe gjatë kësaj periudhe ishte konsideruar pjesë e rëndësishme e planeve të trajnerit Martini. Madje, ai kishte marrë minuta dhe hapësirë në formacion gjatë ndeshjeve përgatitore.
Tashmë situata ka ndryshuar dhe lojtari pritet të largohet përpara startit të plotë të sezonit. Sipas gazetarit Mantho Prokopi, Kobiljar nuk pritet të jetë në listën e Vllaznisë për përballjen me AF Elbasanin.
Largimi vjen në një moment jo fort të favorshëm për kuqeblutë, pasi drejtuesit duhet të rikthehen në merkato për të gjetur një tjetër alternativë në mesfushë.
Edhe ana financiare e marrëveshjes nuk duket se e justifikon lehtësisht këtë lëvizje, pasi Vllaznia pritet të përfitojë një shumë të vogël nga transferimi.
Kështu, një futbollist i afruar për të qenë pjesë e projektit të sezonit mund të largohet pa luajtur praktikisht asnjë ndeshje zyrtare me fanellën kuqeblu, duke lënë pas pikëpyetje mbi planifikimin e merkatos.

