Për më shumë se gjashtëdhjetë vjet, Avtar Singh jetoi me misterin e fatit të së ëmës biologjike.
Ndërkohë, në një kontinent tjetër, Nicci Dhamu ishte në kërkim të vëllait të saj të madh, të cilin e kishte humbur kur ai ishte ende fëmijë. Fati i të dyve mori një kthesë të papritur përmes ndërhyrjes së ChatGPT.
I lindur në Indi, Avtar u rrit nga gjyshërit dhe, në moshën nëntëvjeçare, u transferua në Kanada për t’u bashkuar me të atin. Aty, ai besoi se gruaja që e priti ishte nëna e tij.
Vetëm më vonë zbardhi të vërtetën: ajo ishte njerka e tij, ndërsa nëna e vërtetë, Savinder, kishte mbetur në errësirë për të. Për dekada, përpjekjet e tij nëpër internet, arkiva dhe media, nuk dhanë asnjë rezultat.
Në maj të këtij viti, teksa ishte me pushime në Francë, Avtar vendosi t’i kërkonte ndihmë ChatGPT-së.
“Mendova se i kisha provuar të gjitha. Pse të mos i jepja një mundësi edhe inteligjencës artificiale?”, kujton ai, sipas The Guardian.
Me të dhëna të pakta rreth së ëmës, ChatGPT i propozoi një artikull të shkruar nga Nicci Dhamu për Savinder Kaur Nagi, në nder të saj pas ndarjes nga jeta në vitin 2024.
Avtar vendosi të kontaktonte autoresën, pa qenë i sigurt nëse kishte arritur tek personi i duhur.
Vetëm disa orë më vonë, një telefonatë ndryshoi rrjedhën e jetës së tyre.
“A pati fëmijë?”, e pyeti Avtar.
“Po. Ajo pati një djalë”, iu kthye Nicci.
“Titu, je ti?”, e pyeti ajo pas pak, duke përdorur pseudonimin që e njihnin vetëm të afërmit.
“Po, unë jam”, u përgjigj Avtar. “Askush nuk ma kishte thënë atë nofkë që kur isha fëmijë.”
Pak ditë më vonë, Avtar udhëtoi drejt Londrës dhe për herë të parë takoi Nicci-n, xhaxhain dhe familjarët e tjerë nga ana e së ëmës.
Së bashku, ata rindërtuan historinë e Savinderit, e cila, pas një martese të pasuksesshme, u detyrua të ndahej nga djali, por nuk e harroi kurrë.
Ndonëse ribashkimi erdhi falë ndihmës së ChatGPT, Avtar është i vetëdijshëm për kufizimet e teknologjisë.
“Tani për tani, AI është ende një motor kërkimi i avancuar. Gjeti përputhjen më të mirë mes të dhënave që i dhashë. Nuk ka inteligjencë aty”, tha ai.
Për Nicci-n, ky përfundim ka një peshë më të madhe emocionale.
“Kush do ta kishte menduar se ChatGPT do të çonte te një artikull, ai artikull te një email dhe ai email te gjithë kjo? Ka një prekje njerëzore edhe te inteligjenca artificiale. Shikoni çfarë ndodhi”, tha ajo.

