Policia ka dhënë detaje mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Grabovë, Përmet, ku dy persona mbetën të plagosur pas shpërthimit të një bombe të vjetër.
Sipas njoftimit zyrtar, të dëmtuar janë Ervis Bregu, 38 vjeç dhe Mustafa Koçi, 53 vjeç, të cilët po kryenin punime në murin e një banese të vjetër kur ndodhi shpërthimi aksidental.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 13:00. Fillimisht, të plagosurit u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin e Përmetit, ndërsa më pas u transportuan në Spitalin Rajonal Gjirokastër për trajtim më të specializuar.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shpërthimi ka ardhur nga një bombë e vjetër e mbetur në zonë, e cila ka shpërthyer gjatë punimeve.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 13:00, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Përmetit shtetasit E. B., 38 vjeç, dhe M. K., 53 vjeç, të dy banues në Përmet.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ata janë dëmtuar aksidentalisht nga shpërthimi i një lënde plasëse të mbetur nga periudha të mëparshme (dyshohet bombë e vjetër), gjatë kryerjes së punimeve në murin e një banese të vjetër në fshatin Grabovë, Përmet.
Të dëmtuarit janë transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin Rajonal Gjirokastër dhe ndodhen në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

