“Dorëheqje, dorëheqje”/ Vijon prej dy orësh protesta para Kryeministrisë, kërkohet largimi i Ramës

Publikuar me datë:

Prej më shumë se dy orësh, qindra qytetarë dhe aktivistë vijojnë protestën para Kryeministrisë kundër projektit në Zvërnec dhe politikave që, sipas tyre, po cenojnë pasuritë publike dhe kombëtare.

Mes pankartave, thirrjeve dhe fjalimeve të mbajtura gjatë tubimit, protestuesit kanë artikuluar një sërë kërkesash, duke nisur nga anulimi i projektit në Zvërnec deri te dorëheqja e të gjithë qeverisë.

Një nga zërat më të fortë të protestës ishte ai i një banoreje nga Rrjolli, e cila tha se prej katër muajsh proteston çdo ditë kundër ndërtimeve që po kryhen në zonë.

“Besoj që për katër muaj e keni parë se çfarë ka ndodhur në Rrjoll. Unë jam nëna e një fëmije 2-vjeçar dhe kam katër muaj që protestoj çdo ditë para Policisë së Shtetit, e cila mbron oligarkët që po ndërtojnë në tokën e tim biri. Rrjolli nuk do të ishte në këtë gjendje nëse ajo leje ndërtimi nuk do të ishte firmosur nga Balluku për t’i bërë nderin e jetës Bashkim Ulajt”, deklaroi ajo.

Më tej, protestuesja kërkoi ndërhyrjen e SPAK-ut dhe artikuloi akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë.

“Ndaj sot, të gjithë bashkë duhet të thërrasim në kor: ‘Arresto Ballukun, arresto Ramën’. SPAK duhet të përgjigjet për këto gjëra”, u shpreh ajo.

Gjatë protestës u prezantuan edhe kërkesat kryesore të lëvizjes qytetare. Sipas organizatorëve, protesta nuk lidhet vetëm me Zvërnecin, por me një sërë vendimesh dhe ligjesh që sipas tyre kanë favorizuar investitorët në dëm të interesit publik.

“Ky tubim paraqet kërkesa të qarta dhe të panegociueshme. Së pari, kërkojmë dorëheqjen e të gjithë qeverisë. Së dyti, kërkojmë shfuqizimin e ligjit dhe statusit ligjor që lidhet me investimet strategjike, si dhe shfuqizimin e Paketës së Maleve. Së treti, kërkojmë anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe për trashëgiminë kulturore”, deklaroi një prej protestueseve.

Sipas saj, këto kërkesa nuk kanë karakter partiak, por lidhen me mbrojtjen e interesit publik dhe pasurive kombëtare.

“Këto nuk janë kërkesa partiake, por kërkesa për drejtësi, ligjshmëri dhe mbrojtjen e interesit kombëtar. Ne nuk pranojmë negociata mbi të drejtën themelore të qytetarëve mbi pasuritë që u përkasin vetëm shqiptarëve”, deklaroi ajo.

Gjatë protestës janë dëgjuar vazhdimisht thirrje kundër qeverisë, ndërsa një nga sloganet më të përsëritura ka qenë “Poshtë spiunët”. Protestuesit u kanë bërë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’i bashkohen mobilizimit, duke deklaruar se “koha e heshtjes ka mbaruar”.

Tubimi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie para Kryeministrisë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet heqja e gardhit në Zvërnec dhe pezullimi i projektit, por protesta e sotme ka treguar se pakënaqësitë e artikuluara nga qytetarët shkojnë përtej këtij investimi dhe përfshijnë një kundërshtim më të gjerë ndaj politikave të qeverisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Ushtria izraelite: Nuk e pranojmë armëpushimin në Liban!

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Izraelite, Eyal...

Plas në “Air Albania”/ Pas golit, futbollisti i Izraelit provokon tifozët, përplaset me Hysajn

Miqësorja Shqipëri-Izrael nuk ka kaluar pa tension. Ishte minuta...

Dervishi: Protesta, gjëja më e bukur për Shqipërinë pas marrjes së IBAR-it

Gazetari Lutfi Dervishi e ka vlerësuar protestën para Kryeministrisë,...