Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se do të kërkojë kompensim financiar nga Irani për viktimat që, sipas tij, janë vrarë ose lënduar rëndë nga veprimet e Teheranit.
Kjo deklaratë vjen si kundërpërgjigje ndaj kërkesës së Iranit për kompensim lidhur me dëmet e shkaktuara nga sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Përmes një postimi në Truth Social, Trump bëri të ditur se po kërkon nga ana e tij dëmshpërblim nga Irani.
“Është një ide interesante sepse tani po kërkoj gjithashtu kompensim nga Irani, për të gjithë njerëzit që kanë vrarë dhe plagosur rëndë me bombat e tyre buzë rrugës dhe në shumë konflikte”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan përmendi rastet e viktimave të akteve të dhunës dhe konflikteve të lidhura me Iranin, përfshirë edhe familjet e atyre që, sipas tij, u vranë gjatë protestave antiqeveritare në Iran.
Në të njëjtën deklaratë, Trump iu referua edhe sulmit ndaj anijes luftarake amerikane USS Cole në Jemen, të ndodhur në tetor të vitit 2000. Ky sulm vetëvrasës, i atribuar nga autoritetet Al-Kaedës, çoi në vdekjen e 17 marinarëve amerikanë dhe plagosjen e mbi 30 të tjerëve.
I njëjti kontekst vjen teksa Irani ka vendosur disa kushte për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit: kompensimin për dëmet e shkaktuara, heqjen e sanksioneve dhe përfundimin e kërcënimeve ushtarake nga ana e SHBA-së.
Debati rreth kompensimeve ndodh mes tensioneve të ashpra mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërkohë që organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë se autoritetet iraniane vazhdojnë të godasin kundërshtarët e qeverisë.

