Prifti, studiuesi dhe historiani Dom Nikë Ukgjini ka reaguar ndaj përfaqësuesve politikë shqiptarë në Mal të Zi, duke ngritur shqetësimin për mënyrën se si po trajtohet mësimi i historisë shqiptare në shkollat ku mësojnë nxënës shqiptarë.
Sipas tij, edhe në vitin e ri shkollor, fëmijët shqiptarë do të përballen me mungesën e teksteve të historisë shqiptare, ndërsa në programet shkollore vijojnë të kenë vend të rëndësishëm historia e mbretërve dhe carëve malazezë e serbë.
Ukgjini e lidh këtë situatë me atë që e konsideron si mungesë vëmendjeje nga politikanët shqiptarë në Mal të Zi. Me tone ironike, ai përmend edhe aktivitetet muzikore që zhvillohen gjatë verës në Krajë, Ulqin, Plavë, Guci, Tuz dhe zona të tjera shqiptare, duke argumentuar se këto evente do të duhej të shërbenin edhe si formë proteste për çështje të tilla.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura prej tij lidhet me tekstet e historisë për nxënësit shqiptarë. Sipas Dom Nikë Ukgjinit, librat ndodhen prej muajit shkurt në magazinat e një librarie në Ulqin, por ende nuk kanë përfunduar në duart e nxënësve.
Në reagimin e tij, ai shprehet:
“Edhe në këtë vit, siç ka ndodhur për 34 vitet më radhë, nxënësit shqiptarë në Mal të Zi do vazhdojnë të mësojnë historinë e vetme të ‘krajlit’ e ‘carit’ të malazezve e serbeve dhe jo edhe atë shqiptare!”
Më tej, Ukgjini i drejtohet me kritika politikanëve shqiptarë në Mal të Zi, duke i akuzuar se nuk po i japin rëndësinë e duhur ruajtjes së kujtesës dhe historisë shqiptare.
“Më shumë mendjen te koncertet, se te historia e fëmijëve shqiptarë”, është në thelb mesazhi i reagimit të tij.

