Një 64-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se ka kanosur një grup xhirimi të televizionit Ora News, gjatë kohës që gazetarët po realizonin një kronikë në fshatin Zbarqë.
Ngjarja u regjistrua në një zonë malore të fshatit, ku grupi i xhirimit, i përbërë nga një gazetar, operator dhe drejtues automjeti, po punonte për një kronikë mbi problematikat me një burim uji.
Pas kallëzimit të tre shtetasve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 ndërhynë dhe bënë të mundur arrestimin e 64-vjeçarit S. I., vetëm pak minuta pas ngjarjes.
Sipas Policisë, i arrestuari po kryente punime në zonën e burimit të ujit, ku dyshohet se grupi i xhirimit ishte kanosur.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia gjeti dhe sekuestroi një armë gjahu pa leje, municion, si dhe një armë të ftohtë, një shufër metalike.
Ndërkohë, më 11 gusht, Policia e Tiranës referoi materialet në Prokurori edhe për 70-vjeçarin R. P., banues në Tiranë, për llogari të të cilit punonte 64-vjeçari.
R. P. dyshohet se ka kryer veprat penale “Shpërdorimi i tokës”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes”, pasi dyshohet se ka hapur pa leje një burim uji dhe ka kryer gërmime të kundërligjshme për hapjen e një rruge.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

