Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, ka reaguar lidhur me përplasjet mes policisë dhe protestuesve gjatë manifestimeve studentore, të cilat vijojnë prej dhjetë ditësh. Gjatë një deklarate, ajo kritikoi prezencën e të miturve në protestë, duke theksuar se fëmijët janë instrumentuar nga grupet e mbledhura në tubim. Po ashtu, Bylykbashi kërkoi që çdo punonjës policie që ka tejkaluar kompetencat ligjore të ndiqet penalisht dhe të mbajë përgjegjësi.
“Shumë e shëmtuar që u përdorën fëmijët në atë protestë”, tha Bylykbashi, duke theksuar se ishte e domosdoshme të bëheshin apelime për largimin e të miturve nga zonat e tensionuara dhe për të mos i përfshirë ata në përballjet me policinë.
Ajo theksoi se prania e të miturve në turma ku hidhen lëndë piroteknike dhe sulmohet policia i ekspozon ata rrezikut, në një situatë kur forcat e rendit mund të ndërhynë për të ndaluar aktet e dhunshme.
“Ju të parët duhet të ishit që të bënit thirrje që fëmijët të distancoheshin nga ajo protestë e të mos përdoreshin, siç janë përdorur nga të gjitha forcat që kanë qenë pranë protestës”, deklaroi ajo.
Megjithatë, Bylykbashi theksoi se ndërhyrja e policisë duhet të jetë në përputhje me shkallën e rrezikut dhe se përdorimi i forcës ndaj protestuesve neutralizuar është i pajustifikueshëm.
“Në momentin që ti e neutralizon një protestues, nuk ke pse e shkel më pas”, tha ajo, duke theksuar domosdoshmërinë që secili punonjës policie që shkel ligjin të përballet me pasojat ligjore.
Një tjetër çështje që u ngrit nga Bylykbashi ishte përdorimi i plumbave të gomës dhe dëmtimet e protestuesve gjatë përplasjeve. Ajo e cilësoi “skandaloze” mënyrën se si ishin përdorur, duke vënë në dyshim proporcionalitetin e ndërhyrjes së policisë.
“Është skandaloze, sepse plumbat e gomës nuk përdoren në këtë mënyrë”, deklaroi ajo.
Duke iu referuar krahasimeve të kryeministrit Edi Rama me vendet europiane për numrin e efektivëve të lënduar, Bylykbashi theksoi se vlerësimi nuk mund të bazohet vetëm në statistika, por duhet të marrë parasysh mënyrën se si reagon policia.
Sipas saj, pamjet e ditëve të fundit çojnë në dyshime lidhur me ashpërsinë e ndërhyrjes së forcave të rendit shqiptare krahasuar me ato të vendeve të tjera evropiane.
Ndër të tjera, Bylykbashi nënvizoi se policia luan një rol kyç në ruajtjen e sigurisë dhe mbrojtjen e pasurisë publike dhe private, por insistoi se respekti ndaj uniformës duhet të shoqërohet gjithmonë me llogaridhënie për çdo tejkalim të autorizimeve.

