Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka ngritur shqetësimin mbi gjendjen alarmante të aksit kombëtar Lezhë–Shkodër, veçanërisht pranë Urës së Dajçit, duke e cilësuar këtë situatë si një kërcënim të rëndësishëm për drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët që e përdorin atë çdo ditë.
Sipas Gjonit, zona ku ura lidhet me rrugën është dëmtuar rëndë dhe mungon elementi metalik, duke krijuar një kanal të rrezikshëm në asfalt. Ai theksoi se kjo situatë po shkakton dëmtime të automjeteve dhe rrezikon sigurinë e qarkullimit, sidomos gjatë kulmit të sezonit veror, kur fluksi i lëvizjeve është jashtëzakonisht i madh.
“Çdo vit shpenzohen miliarda lekë për mirëmbajtjen e rrugëve, por realiteti në terren është ky: një aks kombëtar i lënë në këtë gjendje, pa ndërhyrjen minimale për të garantuar sigurinë e qytetarëve,” tha Gjoni.
Ai kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për riparimin e segmentit dhe theksoi nevojën për përgjegjësi nga institucionet përkatëse, duke sqaruar se fondet për mirëmbajtjen duhet të përdoren për rrugë të sigurta e funksionale, dhe jo për kontrata korruptive që ekzistojnë vetëm në letër.

