Deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, ka reaguar në lidhje me punimet në parkun në hyrje të Shkodrës, duke akuzuar qeverinë për vonesa dhe mungesë të realizimit të premtimeve.
Sipas Hotit, projekti duhej të ishte përfunduar prej më shumë se një viti, ndërsa në kulmin e sezonit turistik, sipas tij, qytetarët dhe vizitorët përballen ende me një kantier ndërtimi, pluhur dhe makineri, në vend të një hapësire publike funksionale.
Deputeti demokrat shprehet se premtimet dhe projektet e prezantuara kanë mbetur në nivel propagande, ndërsa, sipas tij, fëmijët, të moshuarit dhe familjet janë privuar nga një prej hapësirave rekreative buzë liqenit.
Postimi i plotë:
Parku në hyrje të Shkodrës duhej të kishte përfunduar prej më shumë se një viti. Sot, në kulmin e sezonit turistik, qytetarët dhe vizitorët gjejnë një kantier me pluhur e makineri, jo një hapësirë publike të denjë për qytetin.
Për këtë qeveri ka rëndësi vetëm propaganda. Premtimet dhe renderimet 3D shërbejnë për televizor, ndërsa realiteti është krejt tjetër: fëmijët, të moshuarit dhe familjet janë privuar nga një prej hapësirave të pakta rekreative buzë liqenit.

