Deputetet e Grupit Parlamentar të PS: Dënojmë sulmet verbale, kërcënimet dhe fyerjet ndaj Luarasit

Publikuar me datë:

Deputetet e Grupit Parlamentar të PS këtë mërkurë kanë dalë në një reagim të përbashkët lidhur me inicidentin e regjistruar ditën e djeshme ku disa protestues ndoqën nga pas dhe ofenduan deputeten Iris Luarasi. Në reagim ato kanë dënuar ngjarjen teksa e kanë cilësuar si sulm.

Në reagim ata theksuan se nuk kërkojnë privilegje por kërkojnë respektimin e të drejtave themelore që Kushtetuta dhe ligji ia garantojnë çdo qytetari. Më tej ato theksuan se dhuna është dhunë dhe duhet trajtuar njësoj nga institucionet. Gjithashtu në reagim shkruhet se në momentin që fillon dhuna përfundon protesta dhe duhet të mbahet përgjegjësi për këto veprime.

Reagimi i plotë:

Gratë deputete të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dënojnë me forcën më të madhe sulmet verbale, kërcënimet, fyerjet dhe aktet e agresionit fizik të ushtruara nga një pjesë e dhunshme e protestuesve ndaj deputetëve gjatë dhe për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre.

Ngjarjet e fundit ndaj deputeteve Iris Luarasi dhe Ilva Gjuzi nuk janë incidente të izoluara. Ato janë pjesë e një klime të përsëritur dhe të zgjatur linçimi publik, intimidimi dhe agresioni, që po kalon nga gjuha e urrejtjes te kontakti fizik. Sot u ndodh atyre. Nesër mund t’i ndodhë çdo deputeti, gazetari, punonjësi publik apo qytetari që refuzon t’i nënshtrohet presionit të turmës.

Para se të jemi deputetë, jemi qytetarë. Kemi të njëjtën të drejtë si çdo qytetar tjetër për të lëvizur të sigurt, për të ushtruar detyrën dhe për të mos u fyer, kërcënuar, ndjekur apo sulmuar. Këto akte nuk po ndodhin vetëm pranë Kuvendit, por edhe në hapësira të tjera publike dhe private.

Nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë respektimin e të drejtave themelore që Kushtetuta dhe ligji ia garantojnë çdo qytetari.

E drejta për të protestuar është e patjetërsueshme. Kritika politike, kundërshtimi dhe zemërimi qytetar janë pjesë e demokracisë. Por protesta nuk është licencë për të fyer, kërcënuar, ndjekur apo goditur. Telefoni i ngritur për të filmuar nuk e shndërron agresionin në aktivizëm. Turma nuk e bën dhunën të ligjshme.

Refuzojmë çdo përpjekje për relativizim. Nuk ka “por” pas një sulmi. Nuk ka rëndësi nëse agresori është burrë apo grua, nëse mban një pankartë apo një celular, nëse sulmon një deputet të mazhorancës apo të opozitës.

Dhuna është dhunë dhe duhet trajtuar njësoj nga institucionet.

Kur një deputet sulmohet gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të saj, nuk cenohet vetëm individi. Cenohet funksionimi i lirë i mandatit përfaqësues, siguria e Kuvendit dhe vetë rendi demokratik. Asnjë deputet nuk duhet të hyjë në Kuvend nën një korridor fyerjesh dhe agresioni, duke pyetur veten nëse goditja e radhës do të jetë vetëm verbale apo edhe fizike.

Për këtë arsye, kërkojmë:

* Nga Policia e Shtetit: identifikimin e menjëhershëm të personave të përfshirë, administrimin e plotë të pamjeve dhe referimin pa vonesë të çdo veprimi të paligjshëm.

* Nga organet e drejtësisë: hetim të shpejtë, të paanshëm dhe individualizim të përgjegjësisë për çdo person të përfshirë.

* Nga strukturat përgjegjëse për sigurinë e Kuvendit: rishikim urgjent të protokolleve për mbrojtjen e deputetëve gjatë hyrjes, daljes dhe ushtrimit të detyrës.

* Nga drejtuesit dhe organizatorët e protestave: distancim të qartë dhe publik nga çdo akt dhune, intimidimi dhe linçimi.

* Nga të gjitha forcat politike dhe mediat: të mos justifikojnë dhunën sipas përkatësisë politike të viktimës ose agresorit.

* I bëjmë thirrje shoqërisë civile, organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe veçanërisht atyre që punojnë për të drejtat e grave, të reagojnë pa standarde të dyfishta ndaj dhunës verbale, linçimit publik dhe intimidimit të grave deputete duke ruajtuar standartin demokratik. Mbrojtja e grave nuk mund të varet nga funksioni, bindjet apo përkatësia e tyre politike. Heshtja përballë dhunës, vetëm sepse viktima është grua në politikë, e normalizon dhe e inkurajon atë. Të drejtat e grave ose mbrohen për çdo grua, ose shndërrohen në një slogan selektiv.

Kërkojmë që brenda 72 orëve Policia e Shtetit dhe strukturat përgjegjëse të informojnë zyrtarisht Kuvendin për masat e marra dhe planin e sigurisë. Brenda 10 ditëve, kërkojmë një raport të plotë mbi identifikimin e përgjegjësve, ecurinë e referimeve dhe masat parandaluese.

Nuk do të pranojmë që heshtja institucionale ta ushqejë pandëshkueshmërinë. Nuk do të lejojmë që dhuna të normalizohet si “folklor proteste” dhe as që poshtërimi publik të shitet si pjesëmarrje qytetare.

Demokracia mbrohet me fjalë, argumente dhe votë. Aty ku fillon dhuna, mbaron protesta. Dhe aty duhet të fillojë përgjegjësia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Vuçiç shpërndan Parlamentin / Zgjedhjet e parakohshme më 25 tetor

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi janë caktuar të...

Myftinia Shkoder: Me dije e moral, larg alkoolit, drogës dhe humbjes së njeriut!

Myftinia Shkodër, 9 shtator 2026Me dije e moral, larg...