Turizëm për të gjithë apo turizëm selektiv?
Një debat interesant dhe miqësor është hapur së fundmi mes dy emrave të njohur të turizmit shqiptar, Zak Topuzi, pronar i Hotel Mondial, dhe Altin Prenga, i Mrizit të Zanave.
Në thelb të debatit është një pyetje të cilës Shqipëria herët a vonë duhet t’i japë përgjigje, çfarë turisti duam të tërheqim?
Prenga mbron idenë se turisti duhet pranuar ashtu siç është, me thjeshtësinë dhe natyrshmërinë që tradicionalisht e ka karakterizuar mikpritjen shqiptare. Shembulli i zonës së tij është domethënës. Turistët shkojnë, konsumojnë, përjetojnë një eksperiencë dhe në fund blejnë edhe produkte lokale e bio. Pra, nuk është vetëm çështje se sa para lë një turist në hotel, por edhe sa ekonomi krijon ai përgjatë gjithë zinxhirit lokal.
Nga ana tjetër Topuzi ngre një problem. Sipas tij Shqipëria nuk mund të ndërtojë një turizëm serioz duke synuar vetëm numrin e vizitorëve. Turisti që vjen në hotel me ushqimet e veta dhe me “bidona 5 litra me ujë”, siç e ka përshkruar ai, nuk mund të jetë një turist që sjell të ardhura por vetëm sa rrit numrat në statistika.
Në fakt, të dy debatuesit mund të kenë të drejtë.
Sepse secili prej tyre ka një linjë të ndryshme të të bërit biznes me turistët. Njëri ka turistin luksoz, tjetri turistin familjar, njëri turistin aventurier, tjetri turistin kulturor apo atë që kërkon natyrën.
Kjo vlen edhe për konsumin dhe gastronominë e cila si në çdo vend të globit ndahet me kategori.
Problemi nuk është nëse duhet t’i pranojmë apo jo. Problemi është çfarë strategjie duam të ndërtojmë për Shqipërinë në mënyrë që në fund të sezonit kur të bëjmë bilancin, të mbetet i kënaqur si ai bossi i resortit me pesë yje në bregdet, ashtu edhe ai shitësi i byrekut me dhallë në periferi të Beratit.
A po arrihet ose jo ky synim, këtë do na e thonë statistikat e “strategëve” të fushës në Ministrinë e Turizmit.

