Në zonën e Gjadrit u zhvillua një dasmë tradicionale zadrimore, e cila solli për publikun atmosferën festive dhe zakonet karakteristike të krahinës së Zadrimës. Të veshur me kostume popullore dhe të shoqëruar nga këngë e valle tradicionale, pjesëmarrësit rikrijuan ritualet e vjetra të marrjes së nuses dhe ceremonive festive që dikur ishin pjesë e pandashme e jetës sociale në zonë.
Banorët shprehen se qëllimi i këtij aktiviteti ishte ruajtja dhe promovimi i traditave, të cilat me kalimin e kohës nuk praktikohen më si dikur.
“Koha ka ndryshuar dhe shumë nga zakonet e dikurshme nuk praktikohen më si më parë, por ne po mundohemi t’i ruajmë dhe t’i mbajmë gjallë. Jemi përpjekur që gjithçka të realizohet sa më afër mënyrës tradicionale, duke ruajtur elementët origjinalë të kulturës sonë,” u shprehën banorët e zonës.
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe turistë të huaj, të cilët u bënë pjesë e festës rastësisht. Ata u shprehën se ishte vizita e tyre e parë në Shqipëri dhe vlerësuan përvojën, duke u impresionuar nga traditat dhe mënyra e organizimit të një dasme tradicionale shqiptare.
Mes muzikës popullore dhe ritualeve karakteristike, dasma zadrimore në Gjadër riktheu për pak kohë një pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor të zonës, duke mbajtur gjallë traditat që trashëgohen brez pas brezi.

