Raportohet se disa individë kanë humbur jetën pas një zjarri që ndodhi të martën në kullën Oxy, një kantier ndërtimi në qendër të Brukselit. Autoritetet belge kanë njoftuar se gjashtë persona ende konsiderohen të zhdukur.
Flakët përfshinë ndërtesën, por arsyet e djegies mbeten të paqarta. Edhe pse zjarrfikësit arritën ta kontrollojnë shpejt zjarri, situata u komplikuar kur ata hynë në objekt dhe zbuluan se flakët ishin përhapur në boshtet e ashensorëve, me dy ashensorë të mbetur të bllokuar. Zëdhënësi i Prokurorisë në Bruksel tha se ekipet e shpëtimit arritën të hapnin njërin prej ashensorëve, ku gjetën disa viktima.
“Nuk e dimë ende saktësisht sa persona ndodheshin aty. Mund të jenë gjashtë personat e zhdukur, por mund të ketë edhe të tjerë në ashensorin tjetër ose në pjesë të tjera të ndërtesës,” tha ai.
Mediat lokale raportojnë se dy persona janë dërguar në spital me djegie serioze, ndërsa një zjarrfikës mori ndihmë mjekësore në vendngjarje për shkak të ekspozimit ndaj temperaturave të larta.
Kulla Oxy, e cila ndodhet rreth 500 metra nga sheshi historik Grand Place, ndodhet ende në fazën e ndërtimit dhe pritet të përfshijë apartamente, një hotel, restorante dhe bare. Operacioni i kërkim-shpëtimit vazhdon, ndërsa autoritetet nuk kanë konfirmuar ende numrin e viktimave, ndërsa hetimet për shkakun e zjarrit janë duke u zhvilluar.

