Gjykata Harrow Crown Court ka dënuar Zyber Tushën, 47 vjeç, me 12 vite e 6 muaj burg, pasi ai pranoi se mbante lëndë narkotike të klasës A për qëllime shitjeje dhe posedonte një armë zjarri.
Ndërkohë, Oltjan Serferi, 21 vjeç dhe pa adresë të përcaktuar, u dënua me katër vite heqje lirie pas pranimit të akuzës për posedim kokaine me qëllim shpërndarjeje.
Operacioni u organizua më 5 shkurt nga London Organised Crime Partnership, një bashkëpunim mes Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit (NCA) dhe Policisë Metropolitane të Londrës.
Gjatë bastisjes së banesës së Zyber Tushës në Beaufort Estate, Colindale, në veri-perëndim të Londrës, hetuesit gjetën 19 kilogramë kokainë me vlerë të përafërt 1.5 milionë paund në treg, si dhe një pistoletë Springfield gjysmëautomatike të ngarkuar me 14 fishekë.
Policia sekuestroi në të njëjtën banesë edhe 40,615 paund në para të gatshme, gjashtë dokumente identiteti të falsifikuara, pesë telefona celularë si dhe 21 kilogramë substancë që përdorej për përzierjen e kokainës.
Gjatë arrestimit të Tushës, në vendngjarje mbërriti edhe Oltjan Serferi. Ai kishte me vete një çantë ku gjendeshin 4 kilogramë kokainë, të vlerësuar rreth 320 mijë paund. Pasi pa forcat e policisë, ai hodhi çantën dhe tentoi të largohej, por u ndalua nga oficerët pak minuta më vonë.
Sipas autoriteteve britanike, të dy shtetasit shqiptarë qëndronin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, dhe pas kryerjes së dënimit të plotë do të deportohen në Shqipëri.
“Drejtuesi i hetimeve, Andrew Tickner, tha se armët e zjarrit dhe droga e klasës A janë të lidhura ngushtë me aktivitetin e grupeve të krimit të organizuar, duke përbërë një kërcënim serioz për komunitetin. Sipas tij, strukturat ligjzbatuese do të vijojnë operacionet për largimin e personave të tillë nga rrugët e Londrës.”

