Një sulm kibernetik ka prekur aeroportet Manchester, London Stansted dhe East Midlands në Mbretërinë e Bashkuar, duke komprometuar të dhënat personale të afro 8.7 milionë pasagjerëve, sipas një njoftimi të bërë të enjten.
Manchester Airport Group (MAG), i cili është grupi më i madh i aeroporteve në Britani, konfirmoi se një palë e tretë e paautorizuar ka ndërhyrë në sistemet e tij duke shkaktuar një incident të rëndë sigurie kibernetike.
Një zëdhënës i MAG shpjegoi: “Është marrë një sasi e të dhënave të klientëve që kanë të bëjnë me rezervimet e parkimit të makinave, sallës së pritjes dhe ‘Fast Track‘ (kalimit të shpejtë) dhe regjistrimeve në WIFI në aeroport në aeroportet Manchester, Stansted dhe East Midlands.”
Gjatë këtij sulmi, u vodhën informacione të ndjeshme si adresat e emailit, numrat e telefonit, regjistrimet e automjeteve si dhe kodet postare të klientëve, sipas kompanisë.
Megjithatë, MAG theksoi se të dhënat bankare dhe informacionet e pagesave të klientëve nuk janë prekur nga kjo ngjarje.
Në deklaratë, u bë e ditur se ngjarja nuk ka shkaktuar asnjë ndërprerje në funksionimin e aeroporteve dhe se kompania ka njoftuar autoritetet përkatëse, me të cilët është duke bashkëpunuar për të menaxhuar situatën.

