Të gjitha vatrat e zjarrit në territorin e Bashkisë Pukë janë vënë nën kontroll, pas disa ditësh përballje me situatën e vështirë të krijuar nga flakët.
Kryebashkiaku Rrok Dodaj ka bërë të ditur se situata tashmë është e menaxhueshme, ndërsa strukturat e angazhuara vijojnë monitorimin e zonave të prekura për të shmangur çdo mundësi rindezjeje.
Pas neutralizimit të vatrave, fokusi është zhvendosur te kontrolli i territorit dhe evidentimi i pasojave të shkaktuara nga zjarret.
Në ditët në vijim pritet të nisë edhe vlerësimi i dëmeve në zonat e prekura. Ky proces do të ndihmojë në përcaktimin e dëmeve të shkaktuara dhe të nevojave për ndërhyrje në familjet apo territoret e prekura.
Dodaj ka vlerësuar angazhimin e strukturave vendore dhe qendrore gjatë përballimit të situatës, ndërsa puna në terren do të vijojë deri në sigurimin e plotë të zonave të prekura.

