Deputeti socialist Erion Braçe ka komentuar vendimin e Marjana Koçekut për t’u larguar nga Partia Socialiste, duke theksuar se situata e saj politike është e ndryshme nga ajo e tij.
Gjatë një interviste televizive, Braçe u shpreh se, për shkak të historisë së tij të gjatë në PS që prej themelimit të saj, çdo tentativë për t’u paraqitur si i pavarur nuk do të ishte e besueshme për publikun.
Sipas tij, roli i deputetit i jep mundësinë të shprehë qëndrimet dhe kritikat brenda institucioneve, ndaj nuk sheh arsye për të braktisur mandatin apo për t’iu bashkuar protestave në rrugë.
Braçe theksoi gjithashtu se nuk dëshiron të përfitojë politikisht nga lëvizjet protestuese, duke shtuar se angazhimi i tij mbetet brenda strukturave të Partisë Socialiste dhe Kuvendit.
Duke iu referuar Marjana Koçekut, deputeti socialist tha se largimi i saj ishte një zgjedhje personale dhe se ajo e ka më të lehtë të bindë opinionin publik për një pozicionim të pavarur politik, pasi, sipas tij, ka qenë më shumë aktiviste sesa pjesë e strukturave drejtuese politike.

