Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të martë çmimet e reja për tregtimin e karburanteve në vend, të cilat do të hyjnë në fuqi në orën 17:00.
Sipas vendimit të publikuar, çmimi i shitjes me pakicë i naftës nuk duhet të kalojë 205 lekë për litër, ose 3 lekë më shumë krahasuar me mbledhjen e fundit të bordit. Ndërkohë, çmimi i shitjes me shumicë është përcaktuar në maksimumi 193 lekë për litër.
Edhe benzina ka pësuar rritje. Bordi ka vendosur që çmimi i shitjes me pakicë të jetë jo më shumë se 189 lekë për litër, ose 1 lekë më shumë nga vendimi i mëparshëm, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është caktuar në 177 lekë për litër.

