Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Europian ka miratuar raportin vjetor për Shqipërinë, një dokument që vë në dukje problematika serioze në rrugën e vendit drejt integrimit dhe që qëndron në kontrast të plotë me narrativën optimiste të qeverisë. Sipas deputetes së opozitës, Jorida Tabaku e cila ishte e ftura në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, raporti reflekton realitete për të cilat opozita ka paralajmëruar prej vitesh, ndërkohë që mazhoranca qeverisëse ka refuzuar ta diskutojë atë.
Raporti, i cili është miratuar nga të gjitha forcat politike në komision, nuk kufizohet vetëm tek çështjet politike si bllokimi i imunitetit të ish-zëvendëskryeministres apo liria e medias, por shtrin analizën e tij edhe në situatën ekonomike, korrupsion, varfëri dhe mjedis. Ai shërben si një “skaner” i realiteteve me të cilat qytetarët përballen çdo ditë, duke e kthyer procesin e integrimit nga një listë ligjesh të miratuara në një nevojë urgjente për standarde dhe institucione funksionale.
Një nga pikat më kritike të raportit është fusha e prokurimeve publike, e cila konsiderohet si një ndër sektorët më të korruptuar në vend. Kjo gjetje bie ndesh me deklaratat e drejtuesve të agjencive shtetërore, të cilët pretendojnë se Shqipëria performon më mirë se 17 vende anëtare të Bashkimit Europian në këtë fushë. Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, deputetja Tabaku tha se këto statistika janë mashtruese, pasi fshehin një realitet ku nuk ekziston më garë e ndershme. “Një pjesë e madhe e kompanive dhe operatorëve garojnë të vetëm. Operatori i dytë që futet në garë është thjesht për të mbajtur hapur garën,” shpjegoi ajo, duke theksuar se këto krahasime nuk marrin parasysh tenderat specifikë apo ligjet speciale që anashkalojnë procedurat standarde.
Realiteti i paraqitur në raportin e BE-së është dramatik. Sipas Tabakut, nga 2.2 miliardë euro koncesione të dhëna, plot 1 miliardë janë aktualisht nën hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ky fakt dëshmon se korrupsioni në prokurimet publike mbetet një sfidë madhore, duke hedhur hije të rënda dyshimi mbi propagandën qeveritare dhe duke komplikuar seriozisht rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Flavio Qarri: Zonja Tabaku, Tani ju e keni ndjekur këtë çështje në, vijimësi. Gjithmonë sa herë vjen një raport i ri themi ky ka qenë i zi, ky më i zi, ky më i zi. E kapëm rekordin apo mund të gërmojmë tani?
Jorida Tabaku: Shiko, ti e kape shumë mirë që kur e nise diskutimin. Mazhoranca ka refuzuar të flasë. Po t’i pyesësh për përmbajtjen, tani ka dy gjëra, ose nuk e kanë lexuar, ose kanë lexuar dhe bëjnë sikur nuk e kuptojnë. Mua më vjen keq dhe asnjëherë nuk ndjek kënaqësi që në një moment kur Shqipëria duhet të kishte shfrytëzuar çdo hapësirë për procesin e integrimit, ne ndodhemi në një raport i cili është miratuar nga të gjitha forcat politike në komisionin e jashtëm dhe shfaq disa realitete që opozita ka vite që i thotë. Askush nuk ndjen kënaqësi kur Shqipëria nuk përflitet për mirë. Askush nuk ndjen kënaqësi kur lexon që për shembull bllokimi i imunitetit të zëvendëskryeministres, ish-zëvendëskryeministres tashmë, ka qenë një problematikë, një bllokim në rrugën dhe në procesin e integrimit. Unë ndërkohë që po vija këtu, po dëgjoja dhe telefonatat që ti po zhvilloje me qytetarët. E kanë kthyer procesin e integrimit në një propagandë të zbardhur, të tjerrur, te një diskutim që qytetarët më as nuk e perceptojnë se çfarë është integrimi. Integrimi nuk është një listë miratimi ligjesh. Është formim institucionesh, është standarte në praktikë, që fatkeqësisht njerëzit nuk po i shohin. Atë thotë edhe raporti dhe i merr fushat të gjitha me radhë. Ndoshta ne të politikës tentojmë të flasim pak edhe për temat më politike, fokusohemi tek zgjedhjet, fokusohemi tek liria e medias dhe e shtypit, por raporti flet dhe për situatën ekonomike, po flet për korrupsionin, flet për varfërinë, për fëmijët, për mjedisin, flet për realitete që njerëzit përballen e përplasen çdo ditë. Është një skaner.
Flavio Qarri: Flet dhe për tenderat?
Jorida Tabaku: Për tenderat flet nga fillimi në fund, por prokurimet publike i konsideron si një nga sektorët më kyç dhe më të korruptuar. Shfaq problematikat, me gjithë teknologjinë e informacionit të përfshirë fuqimisht në tendera, Shqipëria fatkeqësisht ka një njollë të zezë për prokurimet publike që nuk ja heq asnjë lloj konference për shtyp dhe asnjë lloj propagande…
Flavio Qarri: Drejtoresha e prokurimeve thotë që ne jemi më mirë se 17 vende të BE-së.
Jorida Tabaku: Për prokurimet publike, sepse është një paragraf i tërë që i referohet prokurimeve publike tek raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Fatkeqësisht sot nuk ka më garë në treg, sepse një pjesë e madhe e kompanive dhe operatorëve atje garojnë të vetëm. Dhe operatori i dytë që futet në garë është thjesht për të mbajtur hapur garën. Dhe sigurisht që kur ke, kur ke këto të dhëna do jesh jashtëzakonisht më mirë se gjithë të tjerët sepse krahasimi bëhet mbi bazë të numrit të aplikimeve, të tenderave. Jo vetëm pa nuanca, por përjashton edhe të gjitha ato tenderat që vijnë në mënyrë specifike ose ligje speciale që vijnë në parlament. Tani çfarë thotë për prokurimin publik Komisioni Europian, që unë i kam nisur një shkresë përsa i përket ligjit të koncesionit të porteve. Ju besoj që ju kujtohet që kush merr një investim strategjik i japim dhe një port, siç janë këto në jug. Ndryshimet, thotë, të ligjit të koncesionit të porteve nuk janë konsultuar me Komisionin Europian dhe kanë nevojë që të shihen për përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Europian, në mënyrë të veçantë në zonën dhe në fushën e prokurimeve publike, duke qenë se nuk janë procedura transparente, konkuruese dhe ka nevojë që të analizohen. Këto bien në kundërshtim dhe me angazhimet që qeveria shqiptare ka marrë për kapitullin përkatës, për detyrimet përmbyllëse dhe vendos në rrezik mbylljen e kapitullit pesë dhe 27. Tani, realiteti i atyre prezentimeve, asaj propagande, me këtë realitetin që ka komisioni është jashtëzakonisht shumë larg. Po thënë kjo, sot prokurimet publike janë fusha me korrupsionin më të lartë. 2.2 miliardë koncesione, 1 miliardë janë në hetim nga SPAK-u. Tani unë nuk besoj që po të bëjnë ndonjë grafik dhe ta krahasojmë me vendet e Bashkimit Europian, ka një normë kaq të lartë. Është 50 me 50 norma e korrupsionit…

