Deputetja e PS-së, Edona Bilali, ka njoftuar se në Kuvend është prezantuar projektligji që mundëson nisjen e procedurave për ndërtimin e një nënstacioni të ri elektrik në qendër të Tiranës.
Sipas Bilalit, projekti parashikon një investim prej 22.5 milionë eurosh, i cili do të realizohet nga OSHEE, me mbështetje financiare nga European Bank for Reconstruction and Development.
Ajo theksoi se nënstacioni i ri do të forcojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike për zonën qendrore të kryeqytetit, duke sjellë njëkohësisht modernizimin dhe digjitalizimin e menaxhimit të rrjetit energjetik.
Bilali shtoi se investimi është konceptuar në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, duke respektuar edhe kërkesat mjedisore që lidhen me zhvillimin e infrastrukturës energjetike.
Në reagimin e saj, deputetja e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit elektrik në Tiranë.

