Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar për situatën me mbetjet në Tiranë, duke akuzuar qeverinë për dështim në menaxhimin e tyre dhe për shpërdorim të parave publike.
Përmes një reagimi, Bardhi shprehet se shqiptarët vijojnë të paguajnë për një incenerator që, sipas tij, nuk ekziston, ndërsa kryeqyteti po përballet me një situatë të rënduar nga mbeturinat.
“Shqiptarët vazhdojnë të paguajnë për një incenerator që nuk ekziston, ndërsa Tirana po mbytet nga plehrat”, deklaron Bardhi.
Ai e cilëson këtë situatë si një shembull të “qeverisjes së papërgjegjshme”, duke argumentuar se paratë e qytetarëve paguhen, ndërsa shërbimi mungon dhe përgjegjësia fshihet pas propagandës. Sipas Bardhit, mbetjet kanë pushtuar hapësirat publike, ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me pasojat e menaxhimit të dobët të situatës.
“Është skandaloze dhe e papranueshme që një vend që pretendon të anëtarësohet në Bashkimin Europian të prezantohet para botës me qytete të mbuluara nga mbeturinat dhe me miliona të paguara për një incenerator që nuk ekziston”, shprehet ai.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së e cilëson situatën jo thjesht si paaftësi administrative, por si “dështim politik dhe administrativ”. Në përfundim, Bardhi kërkon më shumë transparencë dhe llogaridhënie, duke theksuar se qytetarët meritojnë shërbime publike funksionale dhe jo justifikime apo propagandë.
“Tirana nuk ka nevojë për propagandë. Ka nevojë për një qeverisje që punon dhe mban përgjegjësi”, përfundon ai.
Shqiptarët vazhdojnë të paguajnë për një incenerator që nuk ekziston, ndërsa Tirana po mbytet nga plehrat. Ky është modeli i qeverisjes së papërgjegjshme: paratë e qytetarëve paguhen, shërbimi mungon dhe përgjegjësia fshihet pas propagandës.
Plehrat kanë zaptuar çdo cep të Shqipërisë, madje edhe zemrën e saj, Tiranën. Dhe ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me këtë realitet të turpshëm, pushteti vazhdon të bëjë sikur nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk mban përgjegjësi.
Është skandaloze dhe e papranueshme që një vend që pretendon të anëtarësohet në Bashkimin Europian të prezantohet para botës me qytete të mbuluara nga mbeturinat dhe me miliona të paguara për një incenerator që nuk ekziston. Kjo nuk është paaftësi. Është dështim politik dhe administrativ.
Qytetarët meritojnë shërbim, transparencë dhe llogaridhënie, jo propagandë, justifikime dhe fatura që i paguajnë ata.
Tirana nuk ka nevojë për propagandë. Ka nevojë për një qeverisje që punon dhe mban përgjegjësi. Mjaft me arrogancën e pushtetit. Mjaft me shpërdorimin e parave publike. Koha për përgjegjësi dhe llogaridhënie ka ardhur.

