Një kthesë e papritur ka tronditur merkaton e verës dhe ambientin kuqeblu. Vetëm pak ditë pasi Vllaznia njoftoi zyrtarisht aktivizimin e klauzolës së rinovimit me Sherif Kallakun, mesfushori duket se ka vendosur t’i japë fund aventurës së tij në Shkodër.
Sipas gazetarit sportiv Mantho Prokopi, Kallaku ka finalizuar kalimin te Teuta, pavarësisht se klubi shkodran kishte ushtruar të drejtën e rinovimit të kontratës.
Burime pranë situatës bëjnë me dije se prej muajsh futbollisti ka pasur mosmarrëveshje me drejtuesit e Vllaznisë lidhur me vonesat e pagave, të cilat, sipas tyre, kanë nisur që në muajin janar dhe kanë vijuar deri në fund të sezonit.
Po sipas këtyre burimeve, në përfundim të kampionatit Teuta i ka paraqitur mesfushorit një ofertë financiare dukshëm më të lartë, me një pagë rreth dyfish më të madhe se ajo që përfitonte te Vllaznia, faktor që ka ndikuar në vendimin e tij për të ndryshuar skuadër.
Mungesa e Kallakut në fazën përgatitore të Vllaznisë kishte ngjallur pikëpyetje. Fillimisht u raportua se arsyeja lidhej me probleme me pasaportën, por burime të tjera pretendojnë se lojtari nuk kishte pranuar t’i bashkohej grumbullimit të ekipit.
Lajmi është bërë publik nga gazetari Mantho Prokopi, ndërsa deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Vllaznia apo Teuta për raportimet që e çojnë mesfushorin drejt Durrësit.
Nëse transferimi konfirmohet, largimi i Kallakut pritet të jetë një nga lëvizjet më të bujshme të kësaj merkatoje në futbollin shqiptar.

