Komisioni Evropian (KE) ua ka ndarë në total 158.9 milionë euro nga ndihma financiare e Planit të Rritjes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi të mërkurën, teksa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, ngelin mbrapa.
Nga ky këst – i treti për këto vende – Shqipërisë i janë ndarë 49 milionë euro, Malit të Zi 44.2 milionë euro, ndërsa Maqedonisë së Veriut 65.7 milionë euro.
Kjo pagesë lidhet me periudhën e tretë gjashtëmujore të raportimit, e cila përfshin reformat e zbatuara deri në fund të dhjetorit 2025.
Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, pagesa vjen pas kërkesës për ndarjen dhe vlerësimin pozitiv të komisionit për hapat reformues të ndërmarrë në fushën e konkurrueshmërisë së biznesit dhe inovacionit në Shqipëri dhe Mal të Zi, si dhe në fushën e arsimit dhe digjitalizimit në Maqedoninë e Veriut.
“Me lirimin e sotëm të fondeve, shuma totale e miratuar në kuadër të Instrumentit, brenda paketave përkatëse financiare, arrin në 212.8 milionë euro për Shqipërinë, 89.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 142.1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.
Në Komisionin Evropian shpjeguan se një pjesë e këtyre mjeteve financiare të disbursuara për të tri vendet do të transferohet në buxhetet shtetërore, ndërsa pjesa tjetër i kushtohet projekteve investime përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, në përputhje me procedurat në fuqi të miratimit.

