Përplasje në Bashkimin Europian për anëtarësimin e Serbisë.
Brukseli po mundohet të ringjallë procesin e anëtarësimit të Beogradit, teksa të mërkurën pritet të shqyrtojë kërkesën e tij për hapjen e Kapitullit 3 të negociatave.
Megjithatë, kryeqytetet e BE-së janë ende të ndara mbi atë nëse vendimi i Serbisë për të shfuqizuar reformat e diskutueshme në sistemin e drejtësisë është i mjaftueshëm.
Në një dokument të paraqitur nga Komisioni Evropian të hënën, janë shpjeguar arsyet pse beson se reformat e fundit të Serbisë justifikojnë hapjen e Kapitullit 3.
Komisioni vlerëson se Serbia ka korrigjuar “rrëshqitjen prapa” të identifikuar më herët gjatë këtij viti dhe ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar kapacitetet e Prokurorisë për Krimin e Organizuar.
Sidoqoftë, ai pranon se “ende kërkohet punë e mëtejshme në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial”.
Për shumë zyrtarë në Bruksel, diskutimi tejkalon thjesht një kapitull negociator.
Serbia përbën një partner strategjik, duke bërë që disa zyrtarë të argumentojnë se vazhdimi i angazhimit është mënyra më e mirë për të stimuluar reforma të mëtejshme, ndërsa të tjerë theksojnë se ruajtja e dialogut me Beogradin është thelbësore, pavarësisht mangësive demokratike dhe refuzimit të saj për t’u bashkuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Megjithatë, Komisioni Evropian theksoi se çdo vendim përfundimtar i takon qeverive të BE-së, konkretisht Këshillit.
Presidenti Aleksandër Vuçiç ka pasur përplasje të ashpra me dërguarit e Brukselit në Beograd, përfshirë komisoneren për zgjerim, Marta Kos. Vuçiç ka shprehur skeptikë ndaj vizitave të saj, duke thënë se nuk pret asgjë nga ato dhe se me të nuk ka më çfarë të diskutojë.

