Bernie Ecclestone është rikthyer në qendër të vëmendjes, këtë herë për arsye që nuk lidhen me botën e Formula 1.
95-vjeçari, dikur njeriu më i rëndësishëm i cirkut më të shpejtë në planet, është ndaluar nga autoritetet portugeze pasi u zbulua një armë në avionin e tij privat.
Raportimet nga mediat e Portugalisë thonë se ndalimi ndodhi në aeroportin Tires, afër Lisbonës, pasi Ecclestone mbërriti me avion privat. Policia organizoi një kontroll rutinë, gjatë të cilit u gjet arma, duke e kthyer rastin menjëherë në një ngjarje që tërhoqi vëmendje të madhe, sidomos për shkak të identitetit të të ndaluarit.
Për momentin, mbetet e paqartë se si do të vazhdojnë procedurat ligjore ndaj Ecclestone. Nuk dihet ende nëse ai do të paraqitet përpara një gjyqtari, apo nëse hetimi do të ndjekë një rrugë tjetër. Autoritetet portugeze vijojnë investigimet.
Nuk është hera e parë që Ecclestone përballet me probleme të tilla. Në vitin 2022, ai u arrestua në Brazil pasi një armë e padeklaruar u gjet në bagazhin e tij gjatë kontrollit me rreze X në aeroport. Më vonë, Ecclestone deklaroi se arma ishte e tija, por nuk ishte në dijeni se ndodhej në valixhe. Pas pagesës së lirisë me kusht, ai u la i lirë.
Ecclestone mbetet një nga figurat më ndikim-mëdha në historinë e automobilizmit, duke udhëhequr Formula 1 për dekada dhe transformuar garat në një spektakël të njohur globalisht.

