Biznesmeni Ilir Shtufi është ndaluar këtë të premte në Greqi, pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lëshoi një urdhër arresti në kuadër të një operacioni që synonte goditjen e një grupi të angazhuar në trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.
Ai është akuzuar për pastrim parash. Shtufi ka operuar në sektorin e ndërtimit dhe dyshohet se ka bashkëpunuar me këtë grup kriminal duke ndihmuar në pastrimin e fitimeve të marra nga trafiku i drogës.
Si pjesë e këtij operacioni, Gjykata e Posaçme ka miratuar 20 masa sigurie, nga të cilat 15 janë “arrest me burg” dhe 5 “arrest shtëpie”, lidhur me trafikimin ndërkombëtar të kokainës, pastrimin e parave në shumën miliona euro dhe organizim të grupit kriminal.
Sipas burimeve nga hetimi, grupi udhëhiqej nga Artur (Luçiano) Koçeku dhe vëllezërit e tij, të cilët ishin përgjegjës për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në Europë, si dhe për pastrimin e fitimeve në Shqipëri përmes investimeve në ndërtim, projekte luksoze në jug të vendit dhe biznese të ndryshme.

