Kryetari i Partisë Demokratike në Shkodër, Ardit Çylybyli, ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Theth, duke e akuzuar qeverinë se po rikthehet në këtë zonë pas aksionit të prishjeve të ndërtimeve një vit më parë.
Sipas Çylybylit, ndërhyrjet e atëhershme dëmtuan familjet që jetojnë nga turizmi dhe ndikuan në sezonin turistik të një prej zonave më të vizituara të Alpeve Shqiptare.
Ai ka kritikuar edhe “Paketën e Maleve”, duke pretenduar se kjo nismë mund të sjellë rrezik për pronat e banorëve dhe të favorizojë interesa private.
“Pas bregdetit, tani vëmendja është zhvendosur te zonat malore”, shkruan Çylybyli, duke akuzuar qeverinë se nuk ka zgjidhur çështjen e pronësisë për banorët e Thethit dhe zonave të tjera malore, ndërsa kërkon të ndërhyjë në zhvillimin e këtyre territoreve.
Sipas tij, Thethi ka nevojë për garantimin e të drejtave të banorëve dhe jo vetëm për promovim turistik.

