Albana Koçiu nga Vau i Dejës: Pronat e trashëguara po kthehen në mundësi zhvillimi për familjet

Publikuar me datë:

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi sot se “Paketa e Maleve” synon t’i japë një impuls të ri zhvillimit të zonave malore, duke u krijuar banorëve mundësi për të investuar në pronat e trashëguara dhe për të ngritur sipërmarrje familjare.

Gjatë një takimi me banorë dhe përfituesit e parë të programit në Vau të Dejës, Koçiu tha se kjo nismë synon t’i kthejë tokat e të parëve “nga një vend kujtimesh në një vend mundësish dhe zhvillimi për familjet dhe Shqipërinë”.

Ajo vuri në dukje se, ndërsa zonat bregdetare kanë përfituar ritme të shpejta zhvillimi ekonomik dhe turistik, tashmë fokusi është zhvendosur edhe te zonat malore.

“Zona bregdetare e Shqipërisë është e zhvilluar dhe një nga zonat më të frekuentuara për turizëm dhe zhvillim ekonomik. Por ne nuk mund t’i lejojmë vetes që zonat malore të mbeten pas. Shqipëria duhet të zhvillohet në çdo cep të saj dhe pikërisht për këtë mendojmë se ‘Paketa e Maleve’ është një shtysë edhe më e fortë për zhvillimin e zonave malore, të ekonomisë lokale dhe për të injektuar më shumë të ardhura në ekonomi”, tha Koçiu.

Duke folur për ecurinë e programit, zëvendëskryeministrja bëri të ditur se deri tani janë miratuar mbi 400 zona zhvillimi në 52 bashki të vendit, ndërsa numri i aplikimeve të miratuara ka kaluar 1 200 aplikime.

“Kjo do të thotë se interesi ka qenë i jashtëzakonshëm”, u shpreh ajo.

Koçiu shpjegoi se procesi nis në bashkëpunim me bashkitë, ku aplikuesit duhet të paraqesin dokumentacionin që vërteton posedimin e pronës ose truallit për të paktën 10 vjet. Më pas, bashkia kryen procedurat administrative dhe procesi vijon me institucionet përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit deri në miratimin e projektit të investimit.

Ajo iu përgjigj edhe kritikave ndaj paketës, duke theksuar se programi nuk është krijuar për investitorë të mëdhenj apo të huaj.

“Është bërë shumë dezinformim duke u thënë se kjo është një paketë për oligarkët apo për investitorët e huaj. Në fakt është krejt e kundërta. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për bizneset familjare, për banorët lokalë të zonave malore dhe për ata që prej vitesh nuk kanë pasur mundësi të zhvillojnë pronat e tyre për shkak të mungesës së dokumentacionit apo pamundësisë për të investuar”, deklaroi Koçiu.

Sipas saj, “Paketa e Maleve” plotësohet nga programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, i cili u krijon sipërmarrjeve mundësi financimi përmes kredive me interesa të subvencionuara 2–3%, afat shlyerjeje deri në 10 vjet dhe garanci sovrane që mbulon deri në 70% të kolateralit.

“Kjo u jep mundësi bizneseve të investojnë në pajisje, teknologji dhe automatizimin e proceseve, ndërsa qeveria ofron edhe mbështetje teknike për hartimin e planeve të biznesit, në mënyrë që të lehtësohet miratimi i kredive nga bankat”, tha ajo.

Koçiu theksoi se të dy programet janë pjesë e një strategjie më të gjerë për zhvillimin e ekonomisë lokale, e mbështetur edhe nga investimet në infrastrukturën rurale, si programi “100 Fshatrat”, i cili ka përmirësuar rrugët dhe infrastrukturën në shumë zona të vendit.

“Duke zhvilluar infrastrukturën lokale, sot kemi mundësi të zhvillojmë edhe më shumë ekonominë familjare, të rrisim të ardhurat dhe të krijojmë më shumë mundësi punësimi. Objektivi ynë është që e gjithë Shqipëria, në çdo cep të saj, të zhvillohet dhe të integrohet në mënyrë të barabartë”, u shpreh zëvendëskryeministrja.

Gjatë takimit me banorë dhe përfitues të programit në Vau të Dejës, Koçiu tha se “Paketa e Maleve” është një mundësi e mirë investimi edhe për shumë familje, përfshirë edhe shqiptarët e diasporës, që kanë shtëpi apo prona të trashëguara, por nuk kanë arritur t’i kthejnë ato në burim zhvillimi.

“Përfaqësues të diasporës, të cilët i kanë shtëpitë e tyre këtu, por nuk kanë mundur ende të zhvillojnë idenë e tyre për të përmirësuar jetën dhe cilësinë në vendin apo në shtëpinë që kanë trashëguar, tashmë e kanë mundësinë të vijnë dhe të zhvillojnë pronën e tyre”, u shpreh ajo.

Sipas Koçiu, programi synon të zgjidhë pikërisht problematikën e posedimit shumëvjeçar të pronave, ku familjet i kanë përdorur ato për vite me radhë, por nuk kanë pasur mundësi ligjore për t’i zhvilluar për shkak të mungesës së dokumentacionit të pronësisë.

Ajo theksoi se një nga elementët kryesorë për suksesin e “Paketës së Maleve” është eficienca administrative dhe shpejtësia e procedurave.

“Një element kyç që është i domosdoshëm për të qenë një program i suksesshëm është shpejtësia e procesit administrativ. Nuk duhet të jetë një proces burokratik, por i shpejtë, ku institucionet të reagojnë në kohë”, tha Koçiu.

Ajo nënvizoi se për këtë arsye janë përfshirë në proces edhe drejtuesit e institucioneve rajonale, me qëllim lehtësimin e procedurave administrative dhe garantimin e një procesi të rregullt, të shpejtë dhe në përputhje me ligjin.

“Duhet të ndiqen me rigorozitet të gjitha hallkat e procesit, me qëllim që qytetarët të marrin në zotërim truallin apo objektin që e kanë poseduar prej vitesh, por që nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë pronë të tyre”, deklaroi zëvendëskryeministrja.

Koçiu u shpreh se shembujt konkretë të përfituesve të parë të programit janë dëshmi e ecurisë së kësaj nisme dhe ftoi banorët të ndajnë eksperiencat e tyre mbi procesin e ndjekur deri tani.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Pandeli Majko Ferit Hoxhës: Shkodra s’është Lugina e Preshevës

Diskutimet për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër...

Malësia e Madhe drejt krizës së ujit, fshatra të tëra pa furnizim

Malësia e Madhe përballet sërish me probleme serioze në...

Bardh Spahia kundër hapjes së një konsullate serbe në Shkodër: Është shërbim ndaj Vuçiçit

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka reaguar pas...