Në zonën ku lumi Shkumbin derdhet në det, mes kallamishteve dhe mbetjeve të shumta plastike, u konstatuan shiringa, age, ampula, shishe të vogla medikamentesh dhe paketime të ndryshme ilaçesh. Mes mbetjeve të gjetura kishte edhe produkte mjekësore si nafazolinë dhe insulinë.
Mbetjet nuk ishin të përqendruara në një pikë të vetme, por të shpërndara përgjatë një sipërfaqeje të konsiderueshme bregdetare. Kjo ngre dyshime se ato mund të jenë transportuar nga rrjedha e lumit Shkumbin dhe më pas të jenë depozituar në grykëderdhje. Megjithatë, burimi i saktë i tyre mbetet ende i paidentifikuar.
Situata konsiderohet shqetësuese edhe për faktin se shumë pranë kësaj zone ndodhet plazhi i Vilbashtovës, i frekuentuar gjatë sezonit veror nga pushues vendas dhe turistë të huaj.

