Francë/ Aktivistja Thunberg u bashkohet nxënësve në protesta

Publikuar me datë:

Aktivistja suedeze Greta Thunberg doli të martën në krah të një proteste para një gjimnazi në periferinë e Parisit, ku nxënësit francezë vazhduan të kundërshtojnë kushtet e vështira në institucionet arsimore.

Ky mobilizim mbarëkombëtar, tashmë në javën e katërt, ka për qëllim të vërë në pah mungesën e mësuesve, mbipopullimin në klasa, si dhe gjendjen e degraduar të infrastrukturës së shkollave.

Protestat janë zhvilluar në formë marshimesh dhe bllokimesh në qindra shkolla anembanë Francës, ndërsa në disa raste kanë ndodhur edhe përplasje me forcat e policisë, sipas agjencisë Reuters.

Mëngjesin e së martës, grupe nxënësish u grumbulluan para hyrjeve të disa shkollave në Paris dhe në qytete të tjera franceze.

Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, deklaroi për radion France Inter se janë mbyllur rreth 200 shkolla. Ai theksoi se një pjesë e tyre mund të jenë mbyllur për arsye sigurie, duke qenë se ndodheshin përgjatë rrugëve të parashikuara për marshime protestuese.

Greta Thunberg, e njohur fillimisht për protestat kundër ndryshimeve klimatike gjatë adoleshencës, dhe e angazhuar tani në kauza më të gjera, u shpreh se nxënësit në Francë kanë nevojë për më shumë mbështetje.

“Ata duhet ta dinë se në të gjithë botën po i ndjekim këto zhvillime. Na frymëzojnë të rinjtë që po kërkojnë të drejtat e tyre themelore”, deklaroi Thunberg para gjimnazit Paul Eluard në Saint-Denis, në veri të Parisit, ku lëvizja e protestave mori fill së pari.

“Qoftë financimi i pamjaftueshëm i shkollave, kriza klimatike apo padrejtësitë shoqërore, ka ardhur koha që të rinjtë të ngrihen dhe të rimarrin në duart e tyre të ardhmen”, vijoi ajo.

Thunberg pati edhe kritika ndaj përgjigjes së policisë, e cila ka nxitur shumë diskutime. Ajo e përshkroi reagimin si “jashtëzakonisht të dhunshëm”, duke theksuar se autoritetet po përpiqen të ruajnë status quon dhe po injorojnë kërkesat e brezit të ri. 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related