Pas reagimit të biologes Aurora Piroviq për aktivitetin me motor uji në Liqenin e Shkodrës, ka reaguar edhe eksperti i mjedisit Abdulla Diku, i cili e ka cilësuar ngjarjen si tregues të mungesës së kulturës mjedisore dhe juridike në Shqipëri.
Në një reagim publik, Diku shprehet se Liqeni i Shkodrës nuk mund të trajtohet si “skenë spektakli”, duke kujtuar statusin e tij si zonë e mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ngre një sërë pyetjesh për bashkinë Shkodër lidhur me lejet mjedisore, ndikimin në ekosistem dhe respektimin e konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e ligatinave.
Eksperti i mjedisit thekson se problemi nuk qëndron vetëm tek aktiviteti në vetvete, por tek mesazhi që japin institucionet publike, sipas tij, se çdo hapësirë natyrore mund të përdoret për “show” dhe marketing turistik.
Në fund të reagimit të tij, Abdulla Diku paralajmëron se degradimi mjedisor nis pikërisht atëherë kur institucionet humbasin vetëdijen për të mbrojtur hapësirat natyrore dhe jo për t’i kthyer ato në ambiente spektakli.
Statusi i plotë:
“Kriza e kulturës mjedisore në Shqipëri
Kryetari i bashkisë Shkodë ka publikuar një “spektakël” me skafe në Liqen.
Problemi në në rast është se ajo që ndodhi në Liqenin e Shkodrës nuk është thjesht një aktivitet i diskutueshëm turistik. Është simptomë e një problemi shumë më të thellë: mungesës pothuajse totale të kulturës mjedisore dhe juridike në Shqipëri.
Në një vend normal, një zonë me status kombëtar dhe ndërkombëtar mbrojtjeje trajtohet me kujdes maksimal. Tek ne ndodh e kundërta. Institucionet lokale dhe qendrore duken sikur janë në garë kush e banalizon më shumë natyrën dhe kush e shkel më hapur logjikën e mbrojtjes mjedisore.
Liqeni i Shkodrës nuk është një pellg i zakonshëm uji ku mund të improvizosh spektakle me skafe dhe mjete motorike për konsum propagandistik. Është një ekosistem i mbrojtur, pjesë e një trashëgimie natyrore me rëndësi ndërkombëtare, zonë Ramsar dhe kandidat për UNESCO.
Problemi më i madh nuk është vetëm aktiviteti në vetvete. Problemi është mesazhi që japin institucionet:
që në Shqipëri çdo gjë mund të përdoret si dekor spektakli, edhe zonat e mbrojtura.
Në asnjë shtet serioz — madje as vendet e botës së tretë nuk trajtohen kështu ligatinat dhe zonat e mbrojtura mjedisore. Sepse ekziston minimumi i kulturës juridike dhe ekologjike që të kuptohet se jo çdo aktivitet “që tërheq njerëz” është automatikisht zhvillim.
Disa pyetje bazike dhe publike për Kryetarin e Bashkisë Shkodër?
* A ekziston një leje mjedisore apo autorizim specifik për zhvillimin e këtij aktiviteti?
* A është kryer vlerësim i ndikimit në mjedis për përdorimin e skafeve dhe mjeteve motorike për qëllime spektakli në një zonë me status të mbrojtur?
* Në cilin nen të legjislacionit shqiptar apo në cilën dispozitë të planit të menaxhimit të Liqenit të Shkodrës bazohet lejimi i aktiviteteve të tilla?
* A parashikon plani i menaxhimit të liqenit kufizime për zhurmën, ndotjen dhe përdorimin e mjeteve motorike në habitatet ujore?
* A janë konsultuar ekspertë të biodiversitetit apo institucione shkencore për ndikimin e aktivitetit mbi faunën dhe shpendët migratorë?
* A është në përputhje ky aktivitet me detyrimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të Konventës Ramsar dhe procesit të kandidimit të liqenit për UNESCO?
* A mendon Bashkia Shkodër se promovimi i turizmit duhet të bëhet edhe në kurriz të standardeve minimale të mbrojtjes mjedisore?
* Nëse nesër çdo subjekt privat kërkon të organizojë aktivitete të ngjashme me mjete motorike në liqen, mbi çfarë baze ligjore do të refuzohet?
* A ka Bashkia një vizion për ekoturizëm të qëndrueshëm, apo çdo formë spektakli konsiderohet automatikisht “zhvillim”?
* A është i vetëdijshëm Kryetari i Bashkisë për statusin juridik kombëtar dhe ndërkombëtar të Liqenit të Shkodrës dhe kufizimet që burojnë prej tij?
Kur këto gjëra i bën Beneti, çfar pritet nga Benetë e tjerë pastaj?
Kur shteti fillon ta shohë natyrën vetëm si sfond për marketing politik dhe turistik, kufijtë e absurdit fillojnë të zhduken. Nesër mund të justifikohet çdo lloj dëmtimi me argumentin e “promovimit të turizmit”, “gjallërimit të qytetit” apo “spektaklit”.
Tashmë nuk i mbetet askujt te habitet nëse Beneti apo një Benet nga ndonjë institucion tjetër del me shkrepse në dorë pér ti vënë zjarrin Taraboshit, a një pylli kudo, dhe për ta shitur këtë si “spektakël” dhe tërheqje vizitorësh. Piromanët e gjithë botës do e vleresonin maksimalisht, ndërsa spektatorët e përjetshëm shqiptarë të shkatërrimit të habitatit të tyre do duartrokisnin e pohonin me apo pahir këtë veprim.
Kjo është arsyeja pse reagimi ndaj ngjarjeve të tilla ka rëndësi. Sepse degradimi mjedisor nuk fillon vetëm me beton, prerje pyjesh apo ndotje industriale. Fillon në momentin kur institucionet humbin vetëdijen se disa hapësira duhet të mbrohen, jo të shfrytëzohen për show.
Liqeni i Shkodrës meriton respekt institucional, mbrojtje dhe jo trajtim si pistë motorësh uji.”

