Katër persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi u kapën duke qarkulluar me armë zjarri në një automjet të blinduar. Mes të arrestuarve janë dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës.
Gjatë kontrollit të një automjeti tip “Audi”, në të cilin udhëtonin katër persona, efektivët zbuluan një pistoletë të fshehur në një çantë të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të makinës. Gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, 40-vjeçarit E. R., punonjës i Gardës së Republikës, iu gjet një tjetër armë zjarri pistoletë.
Në pranga përfunduan E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, I. Sh., 28 vjeç, L. M., 42 vjeç, ushtarak, dhe E. S., 46 vjeç, ushtarak. Ata akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Përveç armës së gjetur në automjet, policia sekuestroi edhe një fenelinë të ngjashme me ato që përdoren nga uniformat blu, e cila dyshohet se mbahej nga 28-vjeçari I. Sh.
Ndërkohë, për pistoletën që iu gjet punonjësit të Gardës së Republikës, verifikimet po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, gjatë kontrolleve të ushtruara pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, kanë konstatuar një automjet të markës “Audi”, me të cilin qarkullonin 4 shtetas.
Gjatë kontrollit të automjetit të blinduar, në një çantë të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të tij, u gjet një armë zjarri pistoletë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, shtetasit E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, iu gjet një armë zjarri pistoletë.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, i shtetasve E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, I. Sh., 28 vjeç, L. M., 42 vjeç, ushtarak, dhe E. S., 46 vjeç, ushtarak.
Arma e zjarrit e gjetur në automjet u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një fenelinë, si ato të policisë, që dyshohet se e mbante shtetasi I. Sh. Ndërsa, për armën e zjarrit që iu gjet gjatë kontrollit fizik punonjësit të Gardës së Republikës, po kryhen verifikime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore të secilit shtetas.”– njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
